Gabimet drejtshkrimore gjatë implementimit të gjuhës shqipe në institucione shtetërore, ndërmarrje publike e madje edhe në tabela rrugore, sipas profesorit universitar Asllan Hamiti, ndodhin për shkak të cilësisë së ulët të shkollimit, duke përfshirë shkollimin, siç thotë, parauniversitar dhe universitar. Ai theksoi se ngritja e statusit të shqipes do të ndikonte në përdorimin e saj më adekuat dhe pa gabime.

“Për fat të keq gabime bëjnë edhe ata të cilët mbarojnë fakultet pikërisht të këtij grupi të përkthimit dhe interpretimit nga shqipja në maqedonisht dhe anasjelltas. Në disa raste ka edhe përkthyes të cilët edhe nuk e kanë të mbaruar grupin përkatës për përkthim, por mund të jenë edhe me fakultete të tjera, apo shkollim tjetër dhe kjo është si pasojë ndoshta e punësimeve mbi lidhjet partiake”, tha Asllan Hamiti.

Hamiti, thotë se përgjegjësi për përkthimet duhet të mbajë vetë përkthyesi, por gjithsesi edhe institucioni në të cilin punon ai përkthyesi.

Gabime drejtshkrimore po vërehen edhe në tabelat udhërrëfyese. Në lidhje me këtë, Drejtori i ndërmarrjes publike, Rrugë dhe Rrugica Senad Smailoviç, tha se sa i përket evitimit të gabimeve është angazhuar përkthyes i licencuar, i cili do të bartë përgjegjësi për gabimet eventuale.

“Kemi vërtetuar se një pjesë e tabelave në territorin e qytetit të Shkupit, janë përkthyer gabimisht nga maqedonishtja në shqip. Gjëja e parë që kemi bërë është ajo se kemi bërë marrëveshje me përkthyes të licencuar. Kështu që në të ardhmen planifikojmë që përkthimet të jenë si duhet dhe adekuate për gjuhën shqipe. Përderisa përsëri vërtetojmë se diçka nuk është përkthyer si duhet, atëherë do ta kemi personin që është përgjegjës për atë punë”, tha Senad Smailoviç, Drejtor i N.P. “Rrugë dhe Rrugica”.

Gabime po bëhen në njoftimet të cilat po ngjiten nëpër dyert dhe muret e klinkave. Në lidhje me këtë, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha:

“Sigurisht se do të ketë përmirësime, në atë aspekt jemi duke planifikuar një mënyrë të re për menaxhmentin e spitalit, do të thotë implementimin e menaxhmentit të spitalit në të gjitha institutet shëndetësore kështu që edhe ky problem do të jetë i përfshirë me atë zgjidhje.”

Profesor Hamiti, vlerëson se me ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve do të ketë një përparim në përdorimin e gjuhës shqipe, por sipas tij duhen edhe përpjekje të mëtejme që shqipja të merr statusin e merituar. Megjithatë, ai thotë se politikanët gjatë kohë kanë shfrytëzuar këtë ligj për ta tërhequr vëmendjen e opinionit nga çështje më të rëndësishme etike.

https://youtu.be/TY91RAoqskw