Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, thotë se në të kaluarën Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim u ka bërë hile shqiptarëve në procedurat për marrjen e shtëtësisë. Nuhiu shton se shërbimi intelegjent në të shumtën e rasteve shqiptarët për shtetësi i ka refuzuar me arsyetimin se përbëjnë “ kërcënim për sigurinë e vendit”, pa pasur faktet dhe provat e nevojshme.
“Ka pasur hile, ka pasur edhe paragjykime në pikëpamje të origjinës kombëtare, këto janë vlerësimet e kabinetit tim. Po, sigurisht që paragjykimet janë kultivuar dhe kanë qenë në intensitet më të madh kur kanë qenë në pyetje shqiptarët, sepse problemet që kanë lindur kanë qenë pikërisht tek shqiptarët, sepse është një komunitet i cili është më i madh në numër në raport me komunitet tjera, pas bashkësisë etnike maqedone dhe problem ka lindur pikërisht edhe kur Maqedonia shkeputet nga Federata Jugosllave”- sqaron zëvendësministri Nuhiu.
Në shumë raste, thekson Nuhiu, Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim ka vendosur veten mbi sistemin gjyqësorë duke injoruar kërkesën e Gjykatës Administrative për përswritjen e procedurës për mbledhjen e provave, pasi janë vërejtur lëshime.
“Gjykata administrative, ka dhënë aktgjykim, përkatësisht aktvendim me dispozicion të caktuar se si duhet të sillet Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim në drejtim të grumbullimit të fakteve relevante dhe mjeteve të proves, sepse janë konstatuar lëshime. Megjithatë nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, kanë vepruar në mënyrë arbitrare dhe nuk e kanë përfillur në disa situate vendimin e gjykatës administrative”- sqaron zëvendësministri.
Sipas tij, vitet e fundit janë formuar grupe punë të cilat rishkojnë punën e DSK në mënyrë që parregullësi të tilla të shmangen.
“Unë kam pasur kontakte drejtpërdrejt edhe me qytetarët të cilët kanë përjetuar hile të kësaj natyre, dhe kemi arritur që atyre edhe t’u sigurojmë shtetësinë”- thotë zëvendësministri.
Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, apelon deri tek të gjithë qytetarët që hasin apo kanë hasur në diskrimimin apo hile nga ana e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim t’i drejtohen kabinetit të tij, në mënyrë që padrejtësitë e tilla të korigjohen.