Ndonëse data e zgjedhjeve tashmë është caktuar, nuk përjashtohet mundësia që edhe ajo të shkelet sërish. Ekspertët politik konsiderojnë se shkelja e afateve ndodh për shkak se liderët politikë, e sidomos drejtuesit e pushtetit janë të gatshëm të bëjnë manovrime të ndryshme, vetëm që të mos përballen me drejtësinë. Puna e Prokurorisë Speciale ngelet thelbi i përcaktimit të zgjedhjeve parlamentare. Jove Kekenovski mendon se një herë e përgjithmonë duhet t’u jepet fund lojërave të pista të politikanëve, por nuk përjashton mundësinë që zgjedhjet të shtyhen edhe për të tretën herë me radhë. 

“Duke pasur përvoja të hidhura, duke pasur parasysh se ata nuk e mbajnë fjalën, duke do të isha i habitur nëse do të prolongoheshin edhe një herë zgjedhjet. Sipas meje pengesa apo arsyeja kryesore që mund të sillte deri të ky hap është Prokuroria Speciale, varësisht dinamikës së saj, varësisht prej atyre që do të procesuojnë këto vepra penale, do të varet nga sjellja e liderëve politik. Mendoj se në momentin që liderët në pushtet shohin ndonjë rrezik, ata do të bënin gjithçka që të rrënonin gjithë këtë situatë” , deklarojnë Jove Kekenovski.

As Xhelal Neziri nuk është i siguritë nëse zgjedhjet do të mbahen në datën e caktuar. Ai thotë se nuk do të ishte I suprizuar nëse data e votimeve shtyhet sërish.

“Unë besoj se kjo nuk do të ndodhë sepse partitë politike në pushtet do të vazhdojnë që të keqpërdorin institucionet për të arritur rezultat më të mirë partiak. dhe pika e tretë e cila mund të jetë pengesë për respektimin e kësaj date të zgjedhjeve është vetë përbërja e qeverisë, pra kemi një qeveri problematike ku ministra dhe zëvendës/ministra të partive të ndryshme që ishin në konflikt politik tashmë do të duhet të punojnë në një zyrë me të drejtë vetoje gjë që do të krijojë komplikime të mëtejshme dhe do të mund të paralizojë institucionet e sistemit”, deklaroi Xhelal Neziri.

Katër liderët kryesorë dy ditë më parë u pajtuan njëzëri për mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor. Megjithatë ata për datën e zgjedhjeve patën rënë dakord edhe dy herë më parë, respektivisht më 24 prill dhe 5 qershor por të njëjtat data nuk u respektuan për shkak të kundërshtimit të opozitës maqedonase, e cila pati vlerësuar se nuk janë pjekur kushtet për mbajtjen e tyre./Alsat-M