Ngacmimi seksual është një hap i padëshiruar seksual, një kërkesë e padëshirueshme për favore
seksuale ose sjellje tjetër e padëshiruar e një natyre seksuale që e bën një person të ndihet i
ofenduar, i poshtëruar dhe/ose i ngacmuar, ku një person i arsyeshëm do ta parashikonte atë
reagim në ato rrethana. Shembuj të sjelljes ngacmuese seksuale janë:
– prekje e padëshiruar;
– shikim ose ngulje sysh;
– komente sugjeruese ose shaka;
– fotografi ose publikime të qarta seksuale;
– ftesa të padëshiruara për të dalë në takime;
– kërkesa për seks;
– pyetje ndërhyrëse në lidhje me jetën private ose trupin e një personi;
– familjaritet i panevojshëm, siç është fërkimi (kalim dhe prekje) i qëllimshëm pas
një personi;
– fyerje ose tallje bazuar në seks;
– kontakt fizik eksplicit seksual; dhe
– e-mail seksuale ose mesazhe me tekst SMS.
Ky është njëri ndër definicionet më të qarta dhe gjithëpërfshirëse për ngacmimet seksuale dhe
është i Komisionit Australian për të Drejtat e Njeriut. Definicione të ngjashme i gjen të shtypura
në legjislaturat e të gjitha vendeve të zhvilluara demokratike.
Rrjetet sociale kanë lehtësuar dukshëm komunikimin mes njerëzve, pa u bërë pengesë distanca
fizike. Si rrjedhojë, ka lehtësuar edhe ngacmimet seksuale. Përhapja e platformave të mediave
sociale ka hapur më shumë mundësi që të ndodhë ngacmimi seksual, në disa raste, edhe në
kushte anonimiteti. Tradicionalisht, ngacmimi seksual i referohej sjelljes së padëshiruar të një
natyre seksuale ose të synuar ndaj një personi në bazë të gjinisë ose seksit të tij. Një sjellje e
tillë mund të përfshijë kontakt fizik, gjeste fyese ose imazhe, aktivitet sugjestiv, ose “shaka” ose
pyetje të një natyre seksuale. Rrjetet sociale e kanë bërë më të lehtë ngacmimin virtual, pa
pasur kontakt fizik. Ngacmimi seksual jo vetëm që mund të shkaktojë trauma serioze
emocionale dhe mendore, por gjithashtu mund të ketë ndikime afatgjata në zgjedhjet dhe
mënyrën e jetesës në të ardhmen e një individi.
Sa vajzat janë viktimë të ngacmimeve seksuale?
“Mollëkuqja” ka kontaktuar 208 vajza të moshës 18 deri 25 vjeçare të cilat i janë përgjigjur
anketës në formë elektronike. 150 vajza janë nga qyteti i Tetovës, 51 nga Gostivari dhe numri i
mbetur nga Kërçova, Prishtina dhe Ohri, nga vendbanime rurale (45.1%) dhe urbane (54.8%).
207 prej tyre janë shqiptare dhe njëra është turke.

Fokusi i anketës ka qenë të mësojmë se sa vajzat e moshës madhore por që akoma janë në të
njëzetat e hershme, janë viktima ose pre e ngacmimeve seksuale, sigurisht, edhe çfarë
nënkuptojnë me këto ngacmime dhe nëse janë të gatshme t’i raportojnë.
86.5% e vajzave të anketuara kanë njohuri se çka nënkuptojmë me termin ngacmime seksuale.
3.8% e tyre pranojnë se nuk e dinë kurse 9.6% preferojnë mos ta thonë nëse janë të njoftuara
me këtë terminologji ose jo.
Disa nga vajzat e anketuara përshkruan kuptimin e tyre mbi veprën që është në fokusin e
hulumtimit. Ja disa prej mendimeve të tyre:
 Ngacmimi seksual në rrjetet sociale, do të thosha që është akoma më i rëndë se ai që bëhet
nëpërmjet prezencës, sepse ngacmimi seksual në rrjetet sociale shkakton probleme psikike, duke
filluar nga mesazhet që vinë nga njerëz të kategorisë (0) të cilët shkruajnë vazhdimisht duke
kërkuar gjëra nga më të ndryshmet, të cilat më vonë bëhen dhe shantazhe e më pas kërcënime,
me pas dhe pjesa tjetër; komentet të cilat janë një nga gjërat më “ëeird” (të çuditshme) do të
thosha, e kështu me radhë!
 Ofendimet dhe komentet ngacmuese nëpër postime, keqpërdorimi i fotografive personale,
mosrespektimi i hapësirës personale dhe privatësisë, mesazhe private pa pike respekti.
 Dërgimi fotove intime duke mos e njohur personin.
 Shkrime të shumta me fjalë të papëlqyera.
 Ngacmimi seksual kuptohet si angazhim për veprime të natyrës seksuale të cilat cenojnë
dinjitetin e një personi me çdo lloj forme, duke krijuar një mjedis kërcënues, armiqësor
degradues, poshtërues apo fyes.
 Ngacmim seksual është kur një person shqetëson një person tjetër pa bërë asnjë kontakt trupor
për të kënaqur dëshirat e tij seksuale.
 Zakonisht, përshkrim sa çka do t’i kishte bërë trupit tim!
 Ngacmim seksual ne rrjetet sociale është kur dikush mundohet të të kontaktojë në mënyrë të
vazhdueshme duke të kërcënuar, dhe ta cenon privatësinë duke të hapur telashe me te afërmit.
Gjithashtu, të bën edhe presion psikik që të frikësohesh të dalësh edhe në publik.
 Çdo komentim rreth pamjes që nuk ju bën të ndjeheni mirë, komentim që tejkalon dhe ndërhyn
në privatësinë tënde.
65.8% e vajzave të anketuara kanë marrë mesazhe nga djem ose burra që përmbajnë forma të
ndryshme të ngacmimit seksual, gjuhë të urrejtjes, kërcënime dhe ofendime. 32.2% e tyre nuk
kanë marrë përmbajtje të tilla në rrjetet sociale. 1.9% preferojnë mos ta thonë.

Ku drejtohen viktimat?
Familja është adresa më e besueshme dhe e sigurt e të anketuarave për të raportuar
ngacmimet e këtilla, gjithmonë, në rast se vajzat do të zgjidhnin t’i raportonin. Pjesa më e
madhe e tyre (29.3%) parapëlqejnë t’u drejtohen familjarëve kur janë të shqetësuara nga
mesazhe ose përmbajtje të këtilla ngacmuese. Në vendin e dytë është policia (25%). Shumë prej
vajzave të anketuara janë përgjigjur se nuk e dinë ku të drejtohen (21.6%). Shumë pak veta
kanë zgjedhur (ose do të zgjidhnin) t’u drejtohen gazetarëve (0.9%) ose organizatave
joqeveritare (1.4%) për të raportuar ngacmimet.

10% e vajzave, kur është pyetja te raportimi eventual, kanë zgjedhur opsionin “tjetër” ku
dominojnë përgjigjet e llojit “askujt”.

Në realitet, shumë nga vajzat e anketuara të cilat kanë marrë mesazhe të këtilla, i kanë injoruar
ata. Gjithsej 89 vajza ose 42.7% i injorojnë mesazhet e këtilla. 97 vajza ose 46.6% i raportojnë
duke reaguar ose duke i bërë publik në rrjetet sociale të cilat i përdorin. 3.8% e vajzave i kanë
raportuar këto mesazhe tek organet e rendit. 2.4% e vajzave thonë se kanë zgjedhur vetë të
përballen me kryerësin e veprës.

 Nuk ja kam marrë parasysh. Kam zgjedhur gjithmonë opsionin e bllokimit të personave,
megjithatë ka vajza që nuk i durojnë këto lloje të kërcënimeve dhe për ato kisha shpresuar që të
merren masa dhe të kryhet puna deri ne fund, jo të arrijë deri tek zyra e policisë dhe me pas të
lihet me një anë siç janë lënë shumë dosje të vajzave.
 Duke marrë parasysh vendin ku jetojmë ne dhe se pa marrë parasysh se kujt do i drejtohesh nuk
ndryshon gjë, për vete, as nuk i marr parasysh.
 Nuk i kam raportuar pasi e di që nuk merren masa.
 Policisë dhe mediave. Edhe pse vendasit tonë mendojnë qe nuk merren masa nga ana e policisë,
kam pasur raste ku kam marrë ndihmën e tyre. Gjithashtu jam e mendimit që këto gjëra duhet të
publikohen edhe në rrjete sociale, për ta ulur nivelin e ngacmimeve sadopak dhe për ta
vetëdijesuar popullin.
 Askund, përderisa nuk thyen privatësinë dhe rehatinë time. Ai mund të shkruaj por “Instagrami”
ka dhe opsionin “block”.
 U jam drejtuar të gjitha pikave të lartpërmendura.
 Askujt.
 Nuk kemi çfarë të bëjmë, janë gjëra që ndodhin. Nuk e di pse e bëni kaq tragjike këtë punë.

Vajzat që i kanë raportuar këto mesazhe, në përgjithësi nuk kanë qenë të kënaqura me
rezultatin. 26.4% e vajzave mendon se asnjë institucion ose entitet tjetër nuk ka qenë efikas në
zgjidhjen e problemit të tyre. vetëm 3.3% janë të kënaqura nga efikasiteti i policisë kurse 11.1%
e tyre mendon se policia ka reaguar shumë vonë. 23.08% janë të kënaqura nga rezultati që kanë
arritur pas raportimit në rrjetet sociale.
Por, pse shumë prej tyre nuk janë të kënaqura nga puna e institucioneve ose entiteteve ku i
kanë raportuar rastet e tyre? Në shumë prej përgjigjeve, vajzat tregojnë se raportimi në polici
dhe organet e rendit nuk ka qenë efikas sepse nuk ka pasur një konkluzion në të cilin autori i
abuzimit ose ngacmimit do të ndëshkohej. Ndërkohë, disa prej tyre pranojnë se raportimi i
rrjetin social përkatës ku është kryer ngacmimi ka sjell si rezultat penalizimin e autorit nga
platforma.
 Nuk kanë reaguar.
 “Do merremi ne me këtë punë, rini rehat ju”
 I ka bllokuar llogarinë.
 Jetojmë në një vend ku për fat të keq ngacmimet seksuale ndaj femrave merren si shaka. D.m.th
edhe në qoftë se raportohen përsëri askush nuk ndërmerr asgjë.
 Bllokim dhe fshirje e rrjetit social.
 Kanë bërë sikur reagojnë, mirëpo nuk kanë bërë asgjë për të zgjedhur problemin.
 Çaktivizuan profilet e tyre.
 Nuk kanë vepruar.
 Nuk ka pasur reagim.
 Asgjë.
 “Nuk mund te bëjmë asgjë”.
 Nuk kanë reaguar aspak pasi që nuk e kanë parë si problem për të cilën duhet ankuar dhe thjesht
nuk u intereson .
 Më së shumti i kam raportuar me anë të rrjeteve sociale dhe ata i kanë bllokuar nga përdorimi i
rrjetit ose i kanë pezulluar në njëfarë mënyre.
 Që raportimi im nuk është i vlefshëm.
 Vetëm është mundësuar që ai person të mos këtë kontakt me mua.
 Gjithmonë i raportoj online në rast kur ngacmohem nga persona që nuk i njoh online dhe deri
tani nuk kanë mundur të gjejnë rrugë për të më kontaktuar përsëri.
 Duke i bërë report ose bllok në rrjetet sociale më ka ndihmuar që mos kem as edhe një mesazh
nga ato persona që kanë në mendje vetëm ngacmime të atilla.

 Nuk kam raportuar për veten, por kam qenë bashkërisht me dikë që ka denoncuar, dhe policia
nuk ndërmori asgjë.
 Kanë vepruar.
Për të qenë rezultatet edhe më dekurajuese, në rastet kur vajzat nuk i kanë raportuar këto
ngacmime të kësaj natyre, nuk e kanë bërë atë sepse “nuk mendoj se do të ndërmerret diçka”
(40.9%) dhe “nuk mendoj se diçka do të ndryshojë” (33.3%). Pjesa tjetër e vajzave nuk i kanë
raportuar duke thënë se “kam pasur frikë” (3.5%), ose “kam pasur frikë se do të më fajësojnë
mua” (6.06%).

Vetëm 12.5% e vajzave të anketuara thonë se nuk njohin asnjë që ka qenë viktima e
ngacmimeve seksuale në rrjetet sociale. Pjesa tjetër, njeh një numër të madh vajzash dhe grash
(53.8%), njeh një numër të moderuar vajzash dhe grash (23.08%), njeh një numër të vogël
(10.5%). D.m.th. gjithsej 87.5% e tyre, njohin të paktën dikë që ka qenë viktimë e ngacmimeve.
Si përfundim, gjysma e tyre ose 48.5%, siç janë përgjigjur vajzat, i kanë injoruar, një pjesë
shumë e vogël i ka raportuar në njëfarë forme (24.02%, në polici, në rrjetet sociale ose tek
mediat) kurse pjesa tjetër nuk kanë njohuri.
Pasojat e ngacmimeve seksuale në rrjetet sociale
Shumë prej vajzave të anketuara janë shprehur se nuk kanë pasur pasoja pas ngacmimeve në
rrjetet sociale. Numri i tyre është 43.7%. Disa prej tyre e kanë manifestuar periudhën pas
ngacmimeve me frikë (16.8), ankth (14.9), mbyllje të vetvete (11.06%) dhe depresion (6.2%).

Nga personat e rrethit, miqtë janë kategoria më e preferuar për t’i ndarë këto përvoja. 39.4% e
vajzave janë përgjigjur ashtu. 19.7% thonë se i ndajnë me ndonjë të afërm por pa e potencuar
se me kë, 10.5% thonë se i ndajnë me motrat ose vëllezërit, 9.6% i ndajnë me prindërit. 20.6% e
vajzave nuk i kanë ndarë këto përvoja as me miqtë dhe as me të afërmit.
Çfarë këshillash kanë marrë nga familjarët dhe miqtë vajzat që ndanë shqetësimin e tyre?
Përveç dekurajimit që marrin si rezultat nga mosveprimi i institucioneve kompetente, vajzat, në
raste më të shpeshta, dekurajohen edhe nga rrethi që të mos i raportojnë veprimet e këtilla.
Biseda për këto tema nga disa trajtohet si tabu.
 Shoqëria jonë nuk flet për këtë që jetojmë në një vend ku ky fenomen nuk do të ndryshojë për
shumë gjatë dhe që duhet t’i injorojmë mjaft. Shpesh për raste të tilla nuk flasim.
 Që të mundohemi të mos i marrim personale, pasi që këto veprime kanë të bëjnë me personat që
i bëjnë këto lloj veprimesh dhe jo me ne.
 Kanë këshilluar raportimin e tyre.
 Asgjë.
 T’i injoroj.
 Që të kem kujdes dhe të mos bie pre mashtrimeve dhe më e rëndësishmja të mbështetem tek
Zoti e pastaj Ai të mbron.
 Ti injoroj, se njerëzit e tillë s’i ndryshon kush dhe nuk është një, janë shumë.
 Që të injorohen.
 T’i raportoj.
 Qe t’i injoroj dhe të mos eci vetëm rrugës për në shtëpi kur bëhet natë.

 Të injorohen, të bllokohen, përderisa nuk janë kërcënime serioze por ngacmime, të cilat nuk i
raporton askush deri tani.
68.2% thonë se prindërit do t’i mbështesnin plotësisht në rast se do t’i ndanin përvojat e tyre të
ngacmimeve seksuale me prindërit. Prindërit do t’i mbështesnin disi, ose deri diku, 11.6% të
tyre, as nuk do t’i mbështesnin dhe as nuk do t’i fajësonin 11.06%. 7.2% e vajzave mendojnë se
prindërit e tyre do t’i fajësonin disi në këto raste kurse 2.4% mendojnë se prindërit do t’i
fajësonin tërësisht ata.
Disa nga vajzat e anketuara kanë pranuar komplikimin edhe të marrëdhënieve që çift kur janë
në pyetje këto përvoja. 71.2% e vajzave kanë deklaruar se do të merrnin mbështetje të plotë
nga i dashuri (ose e dashura) në të tilla raste, nëse i ndajnë mesazhet me të. 14.6% kanë
deklaruar se i dashuri do t’i mbështeste disi, 7.5% kanë deklaruar se i dashuri as nuk do t’i
mbështeste dhe as nuk do t’i fajësonte, 5.5% kanë deklaruar se i dashuri do t’i fajësonte disi
dhe 1.01% kanë deklaruar se i dashuri do t’i fajësonte plotësisht.
Ligjet dhe institucionet lënë viktimat të ekspozuara
Kodi penal në Maqedoninë e Veriut nuk e njeh ngacmimin në rrjetet sociale si vepër specifike
penale.
“Ne si përfaqësues të sektorit qytetar do të këmbëngulim që ngacmimi seksual nëpërmjet
internetit të rregullohet edhe në Kodin penal”, kanë kërkuar nga Platforma për barazi gjinore
pas rastit të famshëm të quajtur “Javna soba”.
Presionet publike nga organizatat për të drejtat e njeriut kanë bërë që së fundmi të mendohet
për një hap të tillë.
“Me veprën e re “përndjekje” parashikojmë sanksione të rrepta për shqetësimin edhe përmes
internetit, diçka që, për fat të keq, ndodh gjithmonë e shpesh. Tani, ai që në mënyrë të
paautorizuar do të ndjekë, përndjek ose në ndonjë mënyrë tjetër do të përzihet në jetën private
të një personi tjetër, ose me të vendos ose përpiqet të vendosë kontakt të padëshiruar, duke
lëvizur në hapësirën ku ndodhet ai person, duke keqpërdorur të dhënat personale, duke
përdorur mjetet e komunikimit, ose në mënyrë tjetër psikike abuzon, shqetëson ose frikëson,
atë, do të dënohet me dënim në para ose me burg prej tre vjetësh”, ka deklaruar ministri i
Drejtësisë, Bojan Mariçiq. (28.01.2021)
Deri tani nuk ka nismë zyrtare që kjo gjë të bëhet pjesë e legjislacionit.
Çfarë bëjnë rrjetet sociale?
Platformat sociale në internet janë zhvilluar varësisht përvojave të përdoruesve të tyre,
evoluimit të komunikimit virtual dhe teknologjisë. Nga një kërkim në Aleksa.mk, shihet se dy
rrjetet sociale më të përdorura në Maqedoninë e Veriut janë Facebook dhe Instagram. Një
numër shumë i vogël i përdoruesve zgjedhin t’i lexojnë parimet e përdorimit të tyre por aty
shkruhen një pjesë e mirë e rregullave që duhet t’u përmbahen përdoruesit. Në mesin e tyre

janë edhe parimet për respektimin e lirisë dhe privatësisë së personit tjetër. Në standardet e
komunitetit (Community Standards) të Facebook shkruan:
“Ne besojmë se njerëzit janë njësoj në dinjitet dhe të drejta. Ne presim që njerëzit të respektojnë
dinjitetin e të tjerëve dhe të mos ngacmojnë ose degradojnë të tjerët.”
Dhe më pastaj:
“… ne mund të paralajmërojmë dikë për shkeljen e parë por nëse ata vazhdojnë të shkelin
politikën tonë, ne mund të kufizojmë mundësinë e tyre për të postuar në Facebook ose të
çaktivizojmë profilin e tyre.”
Instagrami është më preciz. Një ndër kushtet për t’u bërë pjesë e komunitetit të tij, sipas
Udhëzuesit për komunitetin (Community Guidelines) është:
“Ti duhet të mos jesh një abuzues seksual i dënuar.
Ne fshimë përmbajtje që përmbajnë kërcënime të besueshme dhe gjuhë të urrejtjes, përmbajtje
që synon degradimin ose turpërimin e individëve privat, informacione personale që kanë për
qëllim shantazhin ose ngacmimin e tyre, dhe mesazhe të padëshiruara që përsëriten.”
Anketa nxori në pak se disa nga vajzat kishin pasur përvoja të pakëndshme që lidhen me ndonjë
formë të ngacmimit seksual, ku raportimi kishte zgjidhur një pjesë të shqetësimit. Pasi disa
raportimeve, rrjeti social në të cilin je anëtarë filtron më mirë personat që mund të kenë qasje
në profilin tënd dhe të vendosin kontakt. Pasi disa raportimeve me arsyetime të njëjta ose të
ngjashme, profilet e këtyre personave fshihen. Këtë e pohuan jo pak nga vajzat që i janë
përgjigjur pyetësorit.
Përfundimi
Viktimat e ngacmimeve seksuale, në masë të madhe, janë mirë të informuara se ky fenomen
nënkupton cenimin e lirisë së tyre dhe ndërhyrje në jetën dhe zgjedhjet e tyre. Këto veprime
kanë pasoja të cilat manifestohen më shumë tek disa prej viktimave. Pasojat janë kryesisht
psikike kurse viktima, shpesh, është e vetme dhe nuk parapëlqen të ndajë përvojën me dikë
tjetër. Fakti që disa nga vajzat e ngacmuara seksualisht në rrjetet sociale nuk parapëlqejnë ta
ndajnë historinë as me partnerin e tyre duke u shprehur se keqkuptimi është shumë i mundur
të ndodhë, nënkupton që djemtë dhe burrat janë shumë pak të informuar mbi përmasat e këtij
shqetësimi real. Injorimi është pranim dhe hapje rrugë autorit, ngacmuesit dhe keqbërësit të
zgjerojë rrjetin e tij të ngacmimit dhe të ushqejë ndjenjën e të pushtetshmit mbi viktimat e tij.
Riviktimizimi i viktimës së ngacmimeve seksuale nga rrethi krijon një hallkë tjetër më të
pathyeshme në zinxhirin e ngacmimeve seksuale, si krim të cilin rrjetet sociale e kanë lehtësuar
dhe “e kanë relativizuar” për shkak të natyrës që kanë këto platforma, pamundësisë për
kontroll të plotë dhe parimeve për liritë e shprehjes.