Gjykata Penale në Shkup në aktvendimin për rastin “Dhuna në Qendër”, dënoi me një vit e gjysmë burg ish kryeministrin në arrati, Nikolla Gruevskin, dhe 1 vit me kusht ish ministrin, Mile Janakievski, nëse në katër vitet e ardhshme nuk kryen vepër penale. Dënim me kusht u shqiptua edhe për 5 të akuzuarit e tjerë në këtë rast. Gjykatësi, Dushan Josifov, tha se gjykata vendimin e sjell në bazë të dëshmive materiale dhe verbale, bisedave të incizuara dhe video-incizimeve nga ngjarja.

Fetai: Dënimet e ulëta, do ta ankimojmë vendimin

Prokurorja, Fatime Fetai, thekson se është pjesërisht e kënaqur nga aktvendimi, me theks lartësinë e dënimit dhe se përveç dënimit me burg nuk vjen në shprehje dënim tjetër. Ajo tha se do ta ankimojnë të njëjtin.

“Jam pjesërisht e kënaqur nga vendimi që u shpall sot, jam e kënaqur nga pjesa me të cilën gjykata i shpalli fajtorë personat për të cilët Prokuroria ngeli në propozim akuzë për arsye se kjo tregon se prokuroria jashtë çdo dyshimi e ka dëshmuar fajësinë e tyre. Mirëpo nuk jam aspak e kënaqur nga pjesa e dënimit dhe arsyeja.”,- tha prokurorja publike, Fatime Fetai.

Millanov: S’jemi të kënaqur, Janakievski i pafajshëm

Por, me vendimin gjyqësor nuk është e kënaqur edhe mbrojtja e Mile Janaievskit, pasi kërkon shpalljen e tij të pafajshëm.

“Duke pasur parasysh se Mile Janakievski u shpall fajtor, ndërsa mbrojtja në fjalët e saj përfundimtare kërkoi lirimin e tij nga akuza, gjithsesi se nuk jemi të kënaqur dhe do t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore më tej. Edhe pse nuk jam konsultuar me klientin tim, them se do ta ankimojë këtë vendim, se qëllimi është ai të shpallet i pafajshëm.”,- u shpreh avokati mbrojtës, Elenko Millanov.

Sipas akuzës, Gruevski së bashku me Janakievskin, përmes protestës së dhunshme kanë tentuar të pengojnë seancën e Këshillit në komunën Qendër, ku duhej të ketë ndryshime në planin detalorë urbanistik, me çka u vu në rrezik jeta e ish kryetarit të komunës, Andrej Zhernovski dhe këshilltarëve. Ky është aktvendimi i parë për Janakievskin kundër të cilit procedohen edhe 7 vepra të tjera penale. Gruevski tanimë 2 vit është në arrati në Hungari. Ai, përveç dënimit të sotëm, ka edhe dy vite burg për rastin “Tanku”./TVM2/