Ja kushtoi të gjithë jetën e saj të varfërve në Indi, kreu disa mrekulli dhe në 1979-ën, fitoi edhe një Nobel për paqen. Emri i Nënë Terezës njihet sot në të gjithë botën e Shenjterimi në Vatikan, ka tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme.

Por çfarë është një shenjt dhe si mund të bëhesh i tillë? Shenjtor konsiderohet ai njeri që ka jetuar si katolik i devotshëm, i ka shërbyer Zotit e ka ndihmuar me altruizëm personat në nevojë. Shenjtët janë model për të tjerët dhe besohet se komunikojnë me Zotin në emër të atij që i drejtohet për ndihmë nëpërmjet lutjes. Në bindjen e katolikëve, të tillë janë njerëzit që kanë pasur një jetë të shenjtëruar e që tashmë, na vështrojnë nga parajsa.

Është gati e pamundur të përllogaritet numri i saktë i tyre. Një libër i quajtur “Jeta e Shenjtorëve” rendit 2,565 shenjtë katolikë, pa marrë parasysh me mijëra të tjerë që konsiderohen kështu në pjesë të ndryshme të botës.

Cilat janë hapat që hidhen drejt shenjtërimit?

Shumë prej shenjtëve nuk e kërkojnë shenjtërimin. Ata thjesht ia kushtojnë jetën detyrave humanitare dhe i jepen Zotit. Në disa raste, të mirat që bëjnë, Papa ua njeh pas vdekjes, fillimisht me lumturimin, e pastaj me kanonizimin. Por shenjt nuk bëhesh me një kërcitje të gishtave të drejtuesit të kishës katolike. Ekziston një procedurë e gjatë që duhet ndjekur, e që përcakton qartë se çfarë meritash ka vërtet kandidati dhe deri në ç’pikë duhet nderuar. Procesi ndonjëherë zgjat edhe për dekada të tëra e shekuj.

Së pari, klerikët lokalë shqyrtojnë veprat e kandidatit, jetën dhe shënimet e lëna me shkrim për prova të shenjtërisë së tij dhe virtytit të lartë. Nëse gjejnë material mjatueshëm, atëherë e paraqesin rastin në Vatikan, ku pritet verifikimi i një grupi kardinalësh e teologësh të Kongregacionit për Kauzat e Shenjtëve. Nëse Kongregacioni e jep pëlqimin e tij, çështja i dërgohet Papës.

Atit të Shenjtë i takon të vendosë nëse kandidati është i përnderuar, që do të thotë se ka pasur një jetë të mbushur me virtyte katolike. Hapi i radhës është lumturimi: njohja e faktit që individi ndodhet në parajsë.

Statusi jepet kur njëra prej mrekullive të tij verifikohet postmortum. Mrekullia duhet të lidhet domosdoshmërisht me lutjet e bëra kandidatit nga personi në nevojë. Mrekullitë studiohen me kujdes dhe pranohen si të tilla kur për to nuk ka asnjë shpjegim tjetër logjik.

Rruga drejt shenjtërimit duhet përforcuar pas kësaj me një mrekulli të dytë. Lumturimi i Nënë Terezës u bë tetorin e 2003-it nga Papa Vojtila. Një 30-vjeçare në Kalkuta tha atëherë se ishte shëruar nga kanceri në stomak falë lutjeve të drejtuara Nënë Terezës, ndërsa mjekët ngrinin supet, e nuk dinin sesi ta shpjegonin zhdukjen e sëmundjes.

Marsin e këtij viti, Papa Françesku njoftoi se murgesha e jashtëzakonshme do të shpallej shenjtore pas njohjes së një mrekullie të dytë, shërimin e një burri në Brazil, i cili vuante nga disa tumore në kokë. Ndonëse konsiderohej një rast i pashpresë, ai u shërua plotësisht pasi së bashku me njerëzit e vet të afërm, iu luten Nënë Terezës me zjarr.