Lajmet që u shfaqën nëpër rrjetet sociale para disa ditëve se gjoja në Bogovinë po instalohet rrjeti 5G, i hodhi poshtë, kryetari i kësaj komune Albon Xhemaili. Ai tha se operatorët përkatës vetëm kanë intervenuar për të përforcuar rrjetin, pasi siç shtoi, tani të gjithë janë në shtëpi dhe shfrytëzojnë internetin.

“Që atë ditë mora një konfirmim zyrtar nga operatori A1, i cili më dëshmonte se nuk ka të bëjë fare me rrjetin 5G. Ditën e nesërme mora një konfirmim zyrtar nga Agjencia përkatëse që është kompetente për atë punë dhe ato ma konfirmuan se nuk ka të bëjë me rrjet 5G dhe kjo ka të bëjë me atë se tash njerëzit shkaku i orës policore rrinë më shumë në shtëpi dhe e ka detyruar operatorin të forcojë rrjetin dhe nuk ka të bëj fare me 5G”, deklaroi Albon Xhemaili – kryetar i Komunës së Bogovinës.

Ditë më parë edhe inxhinieri i telekomunikimeve, Nusret Haliti në emisionin Click Plus i hodhi poshtë këto informacione. Sipas tij lidhja e rrjetit 5G me koronavirusin është qesharake.

“Kjo puna e Kovid 19 dhe 5G më duket si ajo puna e asaj teorisë së njerëzisë që besojnë se toka është e rrafshët. Unë them se 5G e bartë virusin Kovid 19 nëse toka do të kishte qenë e rrafshët. Me një fjalë kjo është një broçkulla e madhe se sistemet 5G shkaktojnë virusin Kovid 19”, tha Nusret Haliti, Inxhinieri i Telekomunikimeve”, tha Nusret Haliti- inxhinier i Telekomunikimeve.

Sipas Ministrisë për Shoqërisë Informatike dhe Administratë në vendin tonë deri më tani janë bërë vetëm dy testime për rrjetin 5G. Një në vitin 2018 në kushte laboratorike të kufizuara dhe të kontrolluara rreptësishtë dhe testimi i dytë në vitin 2019, në hapësirë të kufizuar.