Edhe përkundër presionit të madh të opinionit lidhur me skandalin me poezitë me përmbajtje anti shqiptare dhe seksiste, drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Darko Kaevski, i cili njëherësh është edhe redaktor i librit “Poetët e rinj”, nuk dha dorëheqje. Kaevski kërkoi falje për publikimin e këtyre poezive, tha se ndjen përgjegjësi morale dhe profesionale, por marrja e përgjegjësisë nuk përfshin dorëheqjen e tij, për shkak se ai arsyetohet që nuk e ka parë përmbajtjen e poezive dhe se filtrat nëpër të cilat ka kaluar ky libër është dashur që të detektojnë këto gabime dhe më pas ta informojnë atë, gjë që ai thotë se nuk e kanë bërë.

Për këtë arsye Kaevski theksoi se do të bëhet hetim i përgjithshëm i rastit, dhe se do të dënohen në mënyrë të përshtatshme të gjithë subjektet që me ose pa qëllim kanë kontribuar që të ndodh ky gabim.

“Unë si drejtor i agjencisë për të rinj dhe sport ndjej përgjegjësi për gjithë këtë, por ndjej akoma më shumë përgjegjësi profesionale që ta zgjedhim të gjithë këtë që të theksohet sakt se ku qëndron përgjegjësia. Unë si drejtor i kam bërë hapat se çfarë duhet të përmbajë kjo përmbledhje por jo edhe përmbajtjen…

Unë nuk e drejtoj fajin vetëm kah komisioni, e drejtoj fajin edhe kah unë si drejtor edhe kah institucioni dhe për këtë theksova se do të bëjmë gjithçka që është nën kompetencat tona që ta zbardhim këtë rast dhe sakt ta detektojmë fajin…”
Ai thotë se është emëruar komision ekspertësh të jashtëm dhe se ata është deshur që të bëjnë vlerësimin.

Ai nënvizoi se në vendimin për formimin e komisionit ekspert, në pikën 3 në pjesën e dytë thuhet, ‘komisioni do të bëjë selektim të krijimeve të dërguara për përbledhjen e poezive Poetët e rinj, dhe do të parashtrojë raport të shkruar deri tek drejtori I Agjencisë për rini dhe sporte. Në pikën 4 anëtarët e komisionit të ekspertëve, obligohen që punën ta kryejnë në mënyrë të ndërgjegjshme, profesionale dhe paanësisht në pajtueshmëri me rregulloren ligjore të Maqedonisë.