Skemat e vjedhjes së terapive të shtrenjta të kancerit në Klinikën e Onkologjisë, dyshohet se kanë funksionuar për së paku një dekadë. Sipas burimeve të Alsat, dhënia gjysmake e terapive tek pacientët që mbulohen nga Fondi Shëndetësor dhe shitja e tyre jashtë klinikës ka nisur në kohën e ish-drejtorit të Onkologjisë Millan Risteski, për të vazhduar edhe në kohen kur drejtor u emërua Nino Vasev. Ky i fundit u dorëhoq nga detyra pas zbulimeve të TV Alsat vitin e kaluar që në Onkologji pacientët po vdesin nga mungesa e terapive, të cilat të njëjtat po keqpërdoren nga mantel bardhët në atë klinikë.

“Drejtori i atëhershëm, specialisti që ka vënë diagnozën te pacienti ka kërkuar terapi, ky me një nënshkrim vet i ka ndarë terapitë. Këto informata i kam për udhëheqësisë së tashme. Drejtori që ka udhëhequr Klinikën e Onkologjisë në atë kohë, por në nëntor 2022 është shkarkuar ai drejtor dhe është emëruar një drejtoreshë medicinale. Në shkurt e kanë monitoruar këtë infermieren, ka pasur indici se keqpërdor barnat e shtrenjta biologjike dhe është kapur në flagrancë dhe është larguat nga puna”, tha Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Drejtoresha aktuale mjekësore në Klinikën e Onkologjisë Violeta Klisarova me kërkesë të ish-Ministrit të Shëndetësisë Bekim Sali, formuan një bord që në baza javore do të përcaktohet se kujt ti jepet terapia. Ministri Mexhiti tha se po në kohen e ish-drejtorit Vasev nuk u vë kurrë në funksion një sistem operativ i quajtur KATO, përmes së cilit në mënyrë elektronike do të kontrollohej dhënia e dozave për pacientët.

“Sistemi nuk është në funksion sepse ish-drejtori e ka thënë me fjalë, nuk ka të shkruar nuk k dokument se nuk ja vlejka se qenka shpenzim shumë i madh për mirëmbajtjen e këtij sistemi. Ajo që ne tash analizojmë bashkë me këshilltarët e mi në kabinet dhe drejtorët e Onkologjisë ose të vëmë në funksion sistemin KATO ose të gjejmë një sistem të ri që njëherë e përgjithmonë do të kontrolloj saktë dozën në mililitër sa janë harxhuar dhe sa kanë mbetur, ajo do të jetë si metodë se si aplikohet bari te pacienti”, u shpreh Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Rrjeti është i gjerë, për gjithë këtë hierarki ndër vite që janë përfshirë në këto skema, dyshime të cilat po hetohen nga Prokuroria Publike dhe nga Ministria e Brendshme. Ndonëse autoritet nuk japin shumë detaje për ecurinë e procedurës para hetimore, deri më tani dhjetëra persona janë marrë në biseda informative, janë konfiskuar disa pajisje elektronike private dhe të punës si dhe janë grumbulluar disa dosje nga arkivat e klinikës së Onkologjisë. Organet hetuese mbeten të heshtura gati një vit që kur mediat, të paraprirë nga Tv Alsat zbuluan skandalin në Klinikën e Onkologjisë. /Alsat.mk