Partia Demokratike e Kosovës, e drejtuar nga ana e Kadri Veselit po u frikësohet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kjo parti ka zgjedhur një skenar mjaft interesant që të mos lejoj shkuarjen në zgjedhje të reja.

“PDK po mundohet që përmes arsyetimit që qeveria në dorëheqje nuk ka të drejtë të ndajë buxhet, ta pengoj shkuarjen në zgjedhje”, tha një burim i Gazetës Blic.

Sipas këtij burimi, bazuar në këtë skenar, dy ministrat e PDK-së, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, thanë qe s’ka buxhet. Mirëpo, sipas këtyre burimeve ky është një arsyetim i paqëndrueshëm.

Ministri i Drejtësisë nga PDK-ja, Abelard Tahiri, në mbledhjen e sotme të thirrur nga kryeministri i dorëhequr ka deklaruar se nuk mund të shkohet në zgjedhje. Ai tha se nuk ka buxhet për organizim të zgjedhjeve.

“Nuk është paraparë të shkohet në zgjedhje prandaj edhe nuk ka buxhet për KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve nëse shkojmë në zgjedhje. Nuk mund të shkojmë në zgjedhje pasi që nuk kemi buxhet. E kemi këtu edhe ministrin e Financave që besoj na e qartëson më mire”, tha Tahiri.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili edhe para disa muajve kishte deklaruar se nuk ka buxhet për të shkuar në zgjedhje gjatë këtij viti, e ka mbështetur deklaratën e Tahirit.

“Brenda KQZ-së nuk ka fonde për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Hamza.

Këto arsyetime të ministrave të PDK-së i ka kundërshtuar ashpër edhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi. Ai përmes një shënimi në Facebook tha se ndarja e buxhetit për zgjedhje është veprim tërësisht teknik.

“Për më tepër, këtë mund ta bëjë Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancë të rregullt apo të jashtëzakonshme e në procedurë të rregullt si përgjigje në kërkesën e KQZ-së për mjete financiare shtesë.Zgjedhjet nuk ndjekin buxhetin, por buxheti zgjedhjet”, përfundon postimi i tij.

 

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=10156315077790095&id=664780094