Skuadra e fundit në renditjen e kampionatit italian Benevento e ka mposhtur Milanin midis “San Siros” të shtunën mbrëma, duke ia humbur shpresat për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Milani ishte nikoqir i Beneventos dhe u mposht 1-0 duke pësuar kështu humbjen e dytë nga kjo skuadër këtë kampionat, raporton Gazeta Express.

Humbja e sotme madje ia rrezikon edhe vendin e gjashtë skuadrës së Gennaro Gattusos, i cili dërgon në Evropa Ligë.

Golin e vetëm dhe të fitores për Beneventon e realizoi Iemmello në minutën e 29-të.

Përkundër një domini të dukshëm, Milani dështoi të shënonte qoftë edhe një gol në këtë ndeshje dhe tani mbetet në vendin e gjashtë në ligën elitare italiane me 54 pikë, 10 më pak se vendi i katërt, Lazio dhe dy më shumë se vendi i shtatë, Atalanta.

Milani ka një ndeshje më shumë të zhvilluar se dy skuadrat e lartëpërmendura.

Ndërkohë, Benevento renditen e fundit në tabelë me 17 pikë, 12 më pak se Spal, në vendin e 17-të dhe tashmë e ka humbur betejën për mbijetesë.