Microsoft do të bëjë realitet endrrën e përkthyesit universal të Start Trek për bizneset në fund të këtij viti me prezantimin e një funksionaliteti beta i cili ofron përkthim të video konferencave në 40 gjuhë të ndryshme të botës.

Duke shfrytëzuar teknologjinë e Bing Translator, pjesëmarrësit në video konferencë do të dëgjojnë të përkthyer në gjuhën e tyre amtare atë që po diskutohet dhe flitet.

Skype Meeting Broadcast është dizenjuar për të transmetuar një prezantim me 10,000 shikues. Dizenjuar për të thyer çdo barrierë gjuhësore, risia më e fundit e këtij shërbimi realisht sjell një teknologji e cila është shfrytëzuar në të kaluarën në versionin Skype për konsumatorët.

Vjen në një moment kur Microsoft po përpiqet maksimalisht që të rrisë adoptimin e Skype for Business nga sa më shumë kompani në një sektor ku konkurrenca po ashpërsohet çdo ditë e më shumë falë prezencës së Slack dhe Hipchat.

Vitin e kaluar Skype prezantoi Translator për konsumatorët i cili lejonte komunikimin live mes dy personave thirrjet dhe mesazhet e të cilëve transkriptoheshin në gjuhën e secilit prej bashkëbiseduesve. Situata ndryshon për Meeting Broadcast sepse në qendër të vëmendjes është një folës gjuha e të cilit do të përkthehet në 40 gjuhë të ndryshme.

Microsoft nuk ka ofruar detaje lidhur me debutimin e as gjuhët e para që do të mbështeten. (PCWorld Albanian)