Snap ka filluar të testojë një abonim me pagesë për Snapchatin, ku përdoruesit do të kenë akses të parët në funksionalitete të reja, shkruan Bloomberg.

“Jemi në testim të brendshëm të Snapchat Plus, një abonim me pagesë për përdoruesit e Snapchatit”, ka thënë shkurt një përfaqësues i kompanisë.

Edhe pse informacionet zyrtare janë shumë të pakta, raportohet se përdoruesit mund të zgjedhin një mik për t’u dhënë akses në ikona ekskluzive.

Përdoruesit e Snapchat Plus gjithashtu do të kenë një etiketë në profilin e tyre dhe mund të shohin vendndodhjet e miqve të tyre në 24 orët e fundit.

Shërbimi pritet të kushtojë 4.59 euro në muaj ose 45.99 euro në vit. Funksionalitetet dhe çmimi mund të ndryshojnë deri në debutim.

Lëvizja vjen menjëherë pasi Telegram lansoi “Telegram Premiumin”, një tjetër shërbim me pagesë nga një tjetër platformë e mediave sociale.