Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pritur sot në një takim kryekomunarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin. Gjatë fjalës së tij para mediave, pak pas takimit me zyrtarin kosovar, Basha tha se shqiptarët duhet të jenë bashkë dhe të solidarizohen për atë çka po kalon Kosova në këto momente.

“Kam kenaqësi dhe nderin e veçantë që të mirëpresë kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. Si qytetar nderi i Mitrovicës, dua t’i shpreh mirënjohje për vizitën e tij por dhe për mikpritjen e madhe që më bëri para disa muajsh gjatë vizitës time. Kemi folur për sfidat e mëdha me të cilat po përballet Kosova dhe domosdoshmërinë e një përgjigje të bashkuar në interesat e Shqipërisë e Kosovës. Solidarizim me Kosovën për përballjen e këtyre sfidave.”, pohoi Basha.

Ndërkohë, kreu i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri i doli në mbrojtje liderit të PD-së sa i takon akuzave që janë lakuar ndaj tij në lidhje me hetimet për UÇK-në gjatë luftës së Kosovës. Ai tha se Basha ka dhënë kontribut për Kosovën, ndërsa theksoi se ata do ta mbrojnë deri në fund nipin e tyre nga Mitrovica.