Republika e Maqedonisë sot dhe nesër në selinë e Aleancës në Bruksel zyrtarisht i fillon bisedimet për anëtarësim në NATO. Siç informon në konferencën e sotme për shtyp zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski, në seancën e ditëve më parë të Qeverisë është shqyrtuar dhe miratuar informacioni për formimin e Komitetit Punues që është përgjegjës që t’i zbatojë bisedimet për anëtarësim, përcjell Infomagazin.

Ai theksoi se Maqedonia është e përkushtuar plotësisht për këto bisedime dhe theksoi se delegacioni zyrtar i Qeverisë në të cilin do të ketë anëtarë nga disa institucione dhe dikastere ministrore do ta kryesojë koordinatori kombëtar Stevo Pendarovski.

“Ne jemi të gatshëm plotësisht dhe Komiteti Punues për Integrim të Republikës së Maqedonisë në NATO punon tashmë një kohë të gjatë”, tha Boshnjakovski.

Ai shtoi se proceset zhvillohen paralelisht për anëtarësim të plotë dhe theksoi se për anëtarësim të plotë nevojitet edhe implementim i plotë i Marrëveshjes së Prespës, së pari në Parlamentin e Maqedonisë, gjegjësisht miratimin e ndryshimeve kushtetuese, e pastaj edhe ratifikimin e tij në parlamentin në Athinë.