Kombëtarja e Shqipërisë sot do të përballet me ekipin e Zvicrës në ndeshjen që mbahet në lojërat e Kampionatit Evropian.

 

Është hera e parë në histori që Shqipëria merr pjesë në Kampionatin Evropian. Ndeshja me Zvicrën do të mbahet në qytetin Lens të Francës me fillim në orën 15.

Është paralajmëruar se për ta përkrahur kombëtaren në Lens do të shkojnë shumë tifozë nga Shqipëria, Kosova dhe shtetet tjera evropiane.

Vlen të theksohet se në këtë ndeshje do të ketë më së shumti shqiptarë pasi që edhe në ekipin e Zvicrës luajnë shtatë futbollistë shqiptarë.

Më interesantja e kësaj ndeshje është përballja mes dy vëllezërve, Taulant Xhaka që luan për kombëtaren e Shqipërisë dhe Granit Xhaka për atë të Zvicrës. Ndeshja do të ndiqet edhe nga sheshi “Skënderbeu” i Prishtinës.

Fakte para ndeshjes

Derisa trajneri i kombëtares shqiptare thotë se ndeshja e sotme kundër Zvicrës është e rëndësishme, por jo edhe vendimtare, shifrat zyrtare të takimeve ndërmjet këtyre dy përfaqësuesve të futbollit janë në disfavor të “kuqezinjve”.

Në gjashtë takimet e deritanishme Shqipëria nuk ka asnjë fitore përballë Zvicrës, në kuadër të së cilës luajnë gjashtë shqiptarë.

“Kuqezinjtë” kanë vetëm një barazim të arritur edhe atë në Tiranë, më 12 tetor 2002 në kuadër të kualifikimeve për evropianin 2004. Takimi përfundoi 1:1 me golat e Murat Yakin (37′) për Zvicrën dhe Edvin Murati (79′) për Shqipërinë.

Vëllezërit Taulant (Shqipëri) dhe Granit Xhaka (Zvicër) mund të përballen kundër njëri-tjetrit në këtë takim. Ata mund të bëhen vëllezërit e parë që luajnë kundër njëri-tjetrit në një kampionat evropian të futbollit./