Gjykata e Apelit ka marrë vendimin pasditen e sotme për rikthimin në detyrë të gjyqtarit të Komisionit të Posaçëm të Apelimit, Luan Dacin.

Gjyqtari Luan Daci u akuzua për fshehje dhe falsifikim dokumentash, e si pasojë Gjykata e Shkallës së Parë dha vendimin për pezullim nga puna të gjyqtarit Daci.

Pas kësaj gjyqtari Luan Daci e ankimoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe ditën e sotme Apeli I dha të drejtën për tu kthyer në punë si gjyqtar i KPA-së.

Kujtojmë se Daci ishte pjesë e trupës kolegjiale të Komisionit të Posaçëm të Apelimit që ka për detyrë marrjen e vendimeve përfundimtare për rrëzimin ose jo të vendimeve për gjyqtarët që skanohen në Vetting. Ai u denoncua publikisht nga “viktima” e tij. Ishte pikërisht ish-prokurorja Antoneta Sevdari e shkarkkuar nga KPA-ja që akuzoi Dacin se kishte mashtruar institucionet shqiptare.

Siç provoi më pas edhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion, Luan Daci nuk u largua vetë nga sistemi, por sipas dokumenteve zyrtare ai u shkarkua në vitin 1997 për paaftësi në punën e tij.