Ministri i Punëve të Brendshme në një intervistë për portalin Faktor, ka thënë se në Maqedoni nuk ka përgjime të paligjshme. I pyetur se si dhe në ç’farë mënyre do të fillojnë reformat në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), ai tha se me ligjin e ri për ndjekjen e komunikimeve do të pamundësohet që DSK të përgjojë bisedat telefonike.

“Për fat të keq DSK akoma ballafaqohet me pasojat politikave negative të udhëheqësisë së kaluar, por është mirë që tek të punësuarit e tanishëm ka gadishmëri që DSK përsëri ta kthejë besimin dhe profesionalizmin”, tha Spasovski.

Ai shtoi se reformat do të fillojnë me debate në opinion, rreth nevojës dhe mënyrës së reformimit dhe më pas do të përgatiten vendim ligjore.

Spasovski tha se për vitin 2018 prioritet për Ministrinë e Punëve të Brendshme do të jetë kthimi i besimit tek qytetarët dhe partnerët.

“Puna e shërbimeve duhet të vendoset në përgjegjësi, profesionalizëm dhe vendosmëri në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, para se gjithash në MPB dhe më pas edhe në shoqëri”, tha Spasovski.