Vitin e kaluar SPB-Tetovë ka gjobitur 12.526 lloje të ndryshme të shkeljeve të trafikut, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Gjatë vitit të kaluar (2020), zyrtarët policorë të Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë, në rajonin e gjerë të Tetovës kanë zbuluar dhe gjobitur ligjërisht 12,526 lloje të ndryshme të shkeljeve të trafikut, gjegjësisht kundërvajtje ose afro 8 mijë kundërvajtje më pak krahasuar me vitin e kaluar.
Duke vepruar në përputhje me Ligjin për Sigurinë e Trafikut Rrugor dhe Ligjin për Automjetet dhe për shkak të mangësive të identifikuara, përkatësisht shkeljeve të trafikut, 830 automjete janë përjashtuar nga trafiku. Numri më i madh i veturave të larguara nga trafiku (751) kanë qenë me regjistrim të skaduar mbi 30 ditë, tek 61 vetura janë konstatuar parregullsi teknike shumica me parregullsi në frenat, dhe në 18 automjete me mbingarkesë”, thonë nga SPB-Tetovë.
Vitin e kaluar, theksojnë nga SPB-Tetovë, gjithashtu janë përjashtuar nga trafiku edhe 2001 shoferë, nga të cilët 1326 që kanë drejtuar pa patentë shofer, 64 me një kategori të papërshtatshme, 37 me masë mbrojtëse ,,Ndalesë“ aktive, 403 shoferë fillestarë dhe 171 vozitës që kanë drejtuar nën ndikimin e alkoolit.
Shkeljet e zbuluara të trafikut në periudhën në fjalë janë sanksionuar me parashtresa përkatëse. Përveç këtyre, përkohësisht janë revokuar 478 patentë shoferi dhe 582 leje trafiku, kurse janë organizuar edhe 4 orë për udhëzime në trafik./Telegrafi/