Prokuroria Publike e Kumanovës javën e kaluar rikualifikoi aktakuzën në rastin e Almir Aliut. Prokurorja e lëndës, Suzana Kusigerska kërkoi që i akuzuari i parë Boban Iliq, në vend të veprës për vrasje të ndiqet për “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurive në komunikacion”. Organi akuzës rikualifikimin e bazon në faktin se ekspertiza neuropsikiatrike është siguruar si dëshmi pas ngritjes së akuzës.

“Bëhet fjalë gjithashtu për vepër të rëndë penale me të cilën parashikohet dënim me burg nga 4 deri në 20 vjet. Prokuroria Publike pret që Gjykata të sjell vendim të drejtë në bazë të fakteve dhe dëshmive të evidentuara në lëndë”,  pati theksuar Elizabeta Nedanovska, Zëdhënëse e Prokurorisë Publike.

Për shkak të rikualifikimit, me kërkesë të mbrojtjes, gjykata i ndërpreu paraburgimin Boban Iliqit. Pala e dëmtuar kërkoi masa kujdesi për të pamundësuar arratisjen e mundshme, por trupi gjykues nuk i pranoi. Akuza mbetet e pa ndryshuar për Sedat Aliun, Abdulla Aliun dhe Sami Demirin, respektivisht, Prokuroria Publike kërkon që të njëjtit të shpallen fajtorë për dhunë. Në mbarim të seancës kishte akuza verbale mes të akuzuarve për dhunë dhe Boban Iliqit bashkë me familjarët e tij. Pasi iu hoq paraburgimi në mënyrë çnjerëzore ai dëshmoi edhe njëherë para opinionit që nuk është penduar për vepërën e bërë. Boban Iliç pasi doli nga burgu hetimor i Shutkës, kërcënoi gazetarin e Tv21 Furkan Saliu, dhe më pas e përgledhi Mercedesin me të cilën e kishte kryer vrasjen makabre ndaj Almairit 4 vjeçar. Rikualifikimi i veprës vjen pas referimit të lëndës në Prokurorinë e Lartë dhe më pas në Republikane ku polemikat e shumta shkuan aq larg sa Prokurorët Republikan u ndanë në baza etnike. Paralajmërimet e tilla nxitën protesta. Madje vetë kryeprokurori Ljubomir Joveski bëri thirrje për mos ndërhyrje në punën e Prokurorisë, duke shpjeguar nga foltorja e Kuvendit gjithashtu se deri tek rikualifikimi ka ardhur si pasojë e pamundësisë për të konstatuar paramendimin tek i akuzuari i parë. Dhjetëra qytetarë dhe familjar më 2 mars ishin mbledhur për t’i kujtuar Prokurorisë Publike siç thanë ata rivarrosjen e Almirit katër vjeçar. Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë pas zënkës që babai i tij dhe familjarët kishin me të akuzuarin Boban Iliq, paraprakisht në Qendrën e Urgjencës. Seanca e radhës është caktuar për më 2 prill ku do të thuhen fjalët përfundimtare të mbrojtjes së Iliq.

Babai i AlmirAliut, Sedat Aliu në tv Shenja, ka dekalruar se me vendimin e prokurorisë së Kumanovës për rikualifikim të lëndës, djalin e tij e kanë vrarë për së dyti herë. Ai thotë se këtë vendim nuk e kanë pritur mirë as ai por as edhe bashkëshortja e tij.

“Kjo do të thotë vrasje për së dyti për birin tonë. Nuk e kemi pritur mirë, veçanërisht bashkëshortja dhe unë si dhe e gjithë familja jonë. Por shihet se tashmë është marrë vendimi i gjykatës. Çfarë të thonë, ata janë fëmijë 9 dhe dhjetë vjeçar, ata nuk dijnë. Deri tani nuk e kanë ditur, ata vetëm e ndjejnë mungesën e vëllaut, po si rast politik , si ka filluar rasti nuk e dijnë. Askujt të mos i ndodh kjo që na ka ndodhur neve, siç thash më parë, presim nga organet se çfarë vendimi do të sjellin. Nëse sillet vendim i drejtë, në rregull, nëse nuk sillet vendim i drejtë, pastaj do të shohim”, ka deklaruar në emisionin “VOX”, babai i Almir Aliut, Sedat Aliu

Nga ana tjetër partia shqiptare në pushtet BDI i jep mbështetje të plotë palës mbrojtëse në rastin e Almirit dhe kërkon që autori i kësaj vepre, Boban Iliq të merr dënimin e merituar. Deputeti Artan Grubi tha se nuk paragjykon rastin, por dëshmitë dhe pamjet e publikuara tregojnë fajtorin e vërtetë të rastit. Këto komenti deputeti i BDI-së i bëri pas takimit me avokatin Asmir Alispahiq. Ky i fundit tha se mbështetja e deputetit Grubi dhe gjithë shoqërisë në këtë rast jep shpresë për përfundim pozitiv të rastit. Për këtë rast të mërkurën është paralajmëruar edhe një protestë para qeverisë me moton “Pranverë pa drejtësi”.

“Personi i cili doli nga paraburgimi, i cili kërcenoi gazetarë, i cili theksoi se është I gatshëm ta përsëris edhe një herë veprën, nuk e ka vendin në liri, por e ka vendin prapa grilave dhe nuk dua ta paragjykojë fajësinë por ama pamjet në video tregojnë qartasi fajin dhe kjo duhet të vërtetohet në një proces gjyqësor për vrasje e jo aksident trafiku”, u shpreh Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Grubi madje dha mbështetje të plotë protestës së nesërme duke thënë se të gjithë duhet të kontribuojmë të gjejmë rahati shpirtërore jo vetëm për Almirin e vogël por edhe për familjen e tij.

“Sa i përket protestave të paralajmëruara nëpër rrjetet sociale, unë personalisht jam për të protestuar, jam për të ngritur zërin dhe jam për të marrur pjesë. Besoj se nëqoftëse zhvillimet marrin kahjen e duhur atëherë të gjithë ne do të kontribuojm në çfardoqoftë mënyre, qoftë përmes këtyre takimeve, qoftë përmes protestave të gjejmë rehati shpritërore jo vetëm për Almirin e vogël por edhe për familjen e tij dhe për të gjithë neve që jemi të shqetësuar për këtë rast”, është shprehur Grubi.

Nga ana tjetër avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahic ka njoftuar opinionin se rikualifikimi nuk përputhet me veprimet që ka ndërmarrë Bojan Iliçi.

“Ne tani si mbrojtje dëshirojmë ta njoftojmë opinionin se ai rikualifikim që është bërë nuk përputhet me veprimet që ka ndërmarë Bojan Iliç. Prandaj, për këtë kemi mar mbështetje nga deputeti Artan Grubi, për këtë kemi mar mbështetje edhe nga të tjerët, nga të gjithë faktorët në këtë procedurë dhe kjo ka rëndësi të madhe”, tha Asmir Alispahiç, avokat i familjes Aliu.

Avokati Alispahic ka komentuar edhe veprimet e fundit të të akuzuarit Boban Ilic ku tregoi gishtin e mesëm familjes Aliu si dhe kërcënoi gazetarin e Tv21 atë ditë kur iu hoq paraburgimi.

“Kjo është dëshmi për atë që flas 4-5 muaj më parë. Domethën sjellja e tyre, konkretisht të Bojan dhe Boban Ilicit, me aktin e gishtit të mesëm nga ana e tyre, kjo është e turpshme, e palejuar, dhe nga ana e ime apeloj deri te organet kompetente që sa më parë të zbardhet kjo pjesë e ngjarjes dhe i njejti të sanksionohet sepse akti i gishtit të mesëm, nuk është vetëm drejtë familjes Aliu që ishte në anën e djathtë, tregimi i gishtit të mesëm ishte ndaj drejtësisë, gjithë popullit të Maqedonisë që dëshirojnë  përfundim të drejtë të këti rasti dhe kjo e paraqet fytyrën e vërtetë për sjelljen e tij edhe në vendngjarje por gjatë diskutimit në seancë dhe përfundimi i këti procesi që është caktuar me 2 prill. Sjellja e të akuzuarit Boban Iliç në ditën kur iu hoq paraburgimi dhe kur doli nga burgu është gjithashtu për mua është e tmerrshme sepse ndaj kolegut tuaj përsëri iu ka kërcënuar se të njejtën do ta bën njejt sikur e ka bërë me vrasjen e Almirit. Por për fat të keq sot jemi 19 mars, kjo ka ndodhur më 15 mars, nuk kemi asnjë informat nëse nga ana e sektorit për punë të brenshme Shkupi ose nga ana e Prokurorisë Publike është marrë diçka në këtë aspekt sepse ky veprim ia rrezikon sigurinë gazetarit”, shprehet, Alispahiç.

Mbështetje të parezervë protestës së nesërme i kanë dhënë edhe partitë tjera politike shqiptare, gjegjësisht Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët.

Deputeti i ASH-së, Syrija Rashidi për Zhurnal ka theksuar se partia e tij mbështet çdo protestë që ka për qëllim lëvizjes pozitive për ti bërë presion gjyqësisë për lëndën në fjalë që është komprometuar skajshmërisht.

“ASH tradicionalisht i mbështetë çdo protestë që ka për qëllim lëvizjet pozitive dhe protestë që ka për qëllim rastin konkret për të zgjuar vëmendjen dhe për të bërë presion të gjyqësisë që në lëndën në fjalë është komprometuar skajshmërisht dhe besoj se shumica e qytetarëve, tani flas si shqiptarë, do ta mbështesin këtë protestë, kështu që ASH nuk ka përse mos ta mbështesë protestën”, thotë Rashidi.

Ai madje thotë  se tanimë opinioni është i njoftuar për qëndrimin e Aleancës për Shqiptarët lidhur me rastin në fjalë. Sipas tij ky veprim i Prokurorisë për rikualifikimin e lëndës ka zhgënjyer qytetarët sepse këta të fundit kanë pritur një reformë të mirëfillt.

“Opinioni tanimë është njoftuar me qëndrimin e ASH-së për rastin në fjalë. Bëhet fjalë për një vrasje me qëllim dhe tendencë, ndërsa Prokuroria e ka kualifikuar si aksident trafiku. Krejt kjo ka të bëj me zhgënjimin e madh se qytetarët nga pritshmëritë për një reformë të mirëfillt, sidomos hallkën kryesore të sistemit të drejtësisë siç është Prokuroria, për fatë të keq vazhdon me avazin e njejtë dhe kur janë në pyetje shqiptarët, ose dënohen me lehtësi të jashtëzakonshme ose nuk mbrohen nga sistemi i drejtësisë”, ka deklaruar deputeti i ASH-së për Zhurnal, Surija Rashidi.

Rashidi për fundin thekson se partneri shqiptar në Qeveri duhet të ushtron presion tek kyeministri për përgjegjësi ndaj kryeprokurorit Joveski.

“Së pari ju jeni në dijeni se ne nuk e kemi mbështetur këtë kryeprokurorë, arsyeja është edhe e kaluara e tij si prokurorë publik. Mendoj se partneri shqiptar në Qeveri duhet të ushtrojë presion tek kryeministri për përgjegjësi ndaj këtij prokurori”, përfundon Rushidi.

Edhe deputeti i Lëvizjes BESA, Rexhep Memedi për Zhurnal ka njoftuar opinionin se kjo lëvizje mbështet fuqishëm protestën që është parlajmëruar për nesër ku ftoi gjithë anëtarët e Lëvizjes BESA ta përkrah protestën në fjalë.

“Sigurisht edhe protestat në të kaluarën edhe këto protesta që janë paralajmëruar për ditën e mërkurë, Lëvizja BESA i mbështetë fuqishëm dhe i fton të gjithë antarësinë e vet që të përkrah këto protesta. Në këtë drejtim në një far forme ishte edhe paraqitja e jonë publike edhe në seancë në drejtim të mbështetjes së këti rasti që e vërteta apo drejtësia të vendohet në vend dhe të merren parasysh të gjitha faktet edhe videoincizimet të cilat flasin se vërtetë kjo ka qenë një rast klasik i vrasjes”, ka përfunduar për Zhurnal, deputeti i Lëvizjes BESA, Rexhep Memedi.

Memedi vendimin për rikualifikim të lëndës “Almiri”, e sheh si sabotim të procesit të kthimit të besueshmërisë të qytetarëve në institucionet gjyqësore. Ai thotë se Kryeprokurori Joveski ka gënjyer se Zvërlevski e ka rikualifikuar lëndën.

“Rasti i Almir Aliut i cili kohëve të fundit kthehet në aktualitet në Republikën e Maqedonisë sa i përketë funksionimit të gjyqësisë dhe prokurorisë, fatkeqësisht ajo që prokuroria republikane e pranoi kërkesën e prokurores së lëndës nga Kumanova që të bëhet rikualifikimi i lëndës, në një far forme ne vlersojmë se kjo gjë është sabotim i procesit të kthimit të besueshmërisë së qytetarëve në institucionet gjyqësore. Mesazhi që jepet në opinion është  shumë negativ nga shkaku se në kohën kur të gjithë presim reforma në gjyqësi e prokurori, atë që edhe Qerveria aktuale e proklamon duke u nisur nga kryeministri, vet prokurori Joveski i bën një sabotim eklatant klasik dhe në një farë forme do ta vështirëson procesin e kthimit të besimit të qytetarëve në Prokurorinë dhe Gjyqësorin”, shprehet deputeti i Lëvizjes BESA, Rexhep Memedi.

Nga një analizë e videomaterialit mbi përleshjen e cila rezulton me epilog fatal per Almirin e vogël, që ka bërë dje gazeta KOHA, rezulton një situatë krejt ndryshe, që mundohet ta fshehë Prokuroria maqedonase. Bëhet fjalë për kohën pasi përfundon përleshja mes dy grupeve dhe momentit të vrasjes së Almirit nga ana e Boban Iliqit me veturën e tij. Janë në pyetje gjithsej 90 sekonda nga ndarja e dy grupeve e deri te momenti i vrasjes që mundohet ta fshehë Prokuroria. Xhirimet nga kamera që qarkullojnë në opinion tregojnë se përleshja përfundon në orën 22:33,00, kur shihet qartë se dy vëllezërit Iliq largohen me automjetin e tyre. Prokuroria në aktakuzën e vet thotë se vëllezërit Iliq janë ndjekur nga tre personat e akuzuar për dhunë, në mesin e tyre edhe babai i Almirit, Sedat Aliu.

Prokuroria mundohet ta arsyetojë vrasësin, duke lënë të kuptohet se ai “për të shpëtuar veten, në panik duke ikur edhe nga babai i Almirit”, nga pakujdesia me automjetin e tij godet Almirin, nënën e tij dhe Sedat Aliun. Shtrohet pyetja, si është e mundur që Sedati ta ketë ndjekur Bobanin dhe në të njëjtën kohë së bashku më fëminë dhe bashkëshorten e tij të hyjnë nën rrotat e Mercedesit të vrasësit?! Përgjigja nga kamerat e sigurisë është te këto 90 sekonda, nga ndarja e dy grupeve e deri te momenti i vrasjes së Almirit që ka ndodhur në orën 22:34:40 sekonda.

Siç potencuam më parë shqiptarët nesër kanë paralajmëruar protestë masive për kërkim të drejtësisë për vogëlushin 4 vjeçar dhe kundërshtim të rikualifikimit. Dëshmitë po i shohin të gjithë, vetëm prokuroria JO. Është kjo pranvera e ftohtë të padrejtësisë që po i bëhet voglushit katër vjeçarë dhe familjes Aliu./Zhurnal.mk