stadioni i tetoves

Ky është stadiumi i qytetit të Tetovës i ndërtuar 52 vite më parë nga regjimi i atëhershëm komunist dhe jugosllav. Që atëherë asnjë ndryshim nuk është bërë nga institucionet qendrore dhe ato lokale, tetovarët fajin e drejtojnë tek politikanët shqiptar që për 26 vite të pluralizmit politik, kanë realizuar më pak investime kapitale se sa regjimi i egër komunist dhe jugosllav. 

Vitin e kaluar, me anë të një projekti të nënshkruar në mes Komunës së Tetovës dhe Federatës së Futbollit të Maqedonisë, filloi renovimi i stadiumit që duhej të përfundojë brenda 1 viti. Mirëpo si zakonisht në mesin e zyrtarëve shqiptar, paralajmërimet janë bombastike por realizimin ngelën i pakryer. Përshkak të joseriozitetit të Komunës së Tetovës ndodhin vonesat në kryerjen e punimeve, ndërsa dashamirët tetovar të futbollit humbin gjithnjë e më shumë që nuk arrijnë të shohin ndeshje futbollistike në Tetovë.   

Arsyetimet e Komunës së Tetovës janë se projektin final komuna synon ta arrijë përmes partneritet publiko-privat, që do të thotë se nuk kanë mjete financiare të bëjnë asgjë më shumë se donacioni i vogël që ka dhënë FFM-ja.

”Fusha siç e shihni është shumë e mirë, një ndër më të mirat në Ballkan, mirëpo tribunat janë në gjendje të mjerueshme dhe duhet shpejt të ribëhen sepse kjo ndikon negativisht. Unë ju bëj apel që të marrin punën në dorë sa më shpejt sepse ka nevojë ky stadium, d.m.th. duhet të punohet sa më shpejt, tri vjet janë shumë, publiku tetovarë nuk duron aq gjatë”, tha Qani Ameti, Antarë i Kryesisë së Ballistëve.

Profesori universitar Miftar Ziberi, thotë se vonesat në renovimin e stadiumit të Tetovës kanë edhe pasoja në rezultatin e ekipeve të qytetit.

“Duhet që në mënyrë urgjente, në mënyrë urgjente po them, të ndërtohet stadiumi, unë jam i bindur 100% sikur Shkëndija ti luante të gjitha ndeshjet në Tetovë, në stadiumin e Tetovës dhe me tifozë atëherë sigurisht ajo do të ishte kampion. Po dëgjoj se do të vonohet 3 apo 4 vjet, Komuna le t’i përvjel mëngët, le të gjeje lekë dhe le ta ndërtoje stadiumin“, tha ai.

Sipas tenderit të komunës së Tetovës, shpallja e partneritetit publiko-privat parasheh minimum 7 milion euro në investime për 35 vjet. Stadiumin e qytetit të Tetovës, e shfrytëzojnë fituesi aktual i Kupës së Maqedonisë Shkëndija, Renova dhe Teteksi. Ballistët ndërkaq shpresojnë se Shkëndija e tyre, do ta merr nën menaxhim këtë stadium.

https://youtu.be/MXSwO-OT5Xg