Stratfor: Putin po përgatit kaos në Ballkan

Instituti Amerikan për Prognoza Strategjike, Stratfor, i cili merret me parashikime dhe analiza gjeopolitike dhe strategjike, ka bërë të ditur parashikimin e fundit për Ballkanin dhe shtrirjen e ndikimit rus në të.

Agjencia thekson se Moska do të vazhdojë t’i “shfrytëzojë ndarjet” në Ballkan i cili “ka qenë tradicionalisht bazë për gara të forcave botërore”.

 

Për më tepër, ndikimi i Rusisë do të vazhdojë të zgjerohet në hapësirat më të trazuara të Ballkanit, duke përfshirë Serbinë, veriun e Kosovës, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Së fundi, Stratfor parashikon që duke nxitur tensione në rajon, Kremlini do t’i shkaktojë një sërë krizash që Perëndimi nuk do të jetë në gjendje t’i menaxhojë.

Gadishulli Ballkanik me të gjitha lëvizjet e tij etnike, fetare dhe politike gjatë gjithë historisë ka qenë një shesh lojërash për konkurrencën mes fuqive botërore.

Rusia kishte sfiduar Austro-Hungarinë dhe Perandorinë Osmane për ndikim në Ballkan që nga shekulli i 19-të.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Jugosllavia u bë një arenë ndeshjesh mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit pavarësisht statusit të saj neutral gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kur vendi u shkatërrua në vitin 1991, klima ndryshoi. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ka lënë Moskën në një pozicion ku ajo nuk mundi t’i “përcjellë” shtetet jugosllave në rrugën e tranzicionit të tyre drejt sovranitetit, dhe kjo i është lënë Bashkimit Evropian. Që atëherë, Perëndimi dominon ekonominë e vendeve të Ballkanit dhe marrëdhëniet e tyre.

Megjithatë, Moska ka ruajtur ndikimin e saj në Ballkan dhe sërish është ripërqëndruar në këtë rajon. Stabiliteti në Ballkan është një nga temat më të ngutshme të takimeve të Vladimir Putinit dhe Këshillit të Sigurimit të Kremlinit në masën që kreu i këshillit tha se kjo ishte një nga prioritetet e Moskës. Incidentet e ndërhyrjes ruse në Ballkan shtrojnë pyetjen nëse Moska në këtë mënyrë po ballafaqohet me Perëndimin.

Rritja e tensioneve në Serbi, Maqedoni, Bosnjë dhe Hercegovinë i ofrojnë qeverisë ruse një mundësi për të ndikuar dhe ngatërruar Perëndimin, shkruan Stratfor.

Vringëllima e armëve në Serbi

Serbia në aspektin kulturor dhe fetar është e lidhur me Rusinë, mban raporte të fuqishme me Moskën dhe në të njëjtën kohë është duke u përpjekur për ta siguruar anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Gjatë dy viteve të fundit ndikimi i Rusisë në Serbi është padyshim në rritje.

Të dyja rrjetet më të mëdha televizive të lajmeve ruse “Sputnik” dhe “Rusia Today” kanë ofruar transmetimin e programeve, lajmeve dhe radiosinjalit të tyre në Serbi, përcjell “Zeri.info”.

E njëjta gjë vlen, sipas Stratfor, edhe për gazetën “Nedeljnik”, e cila proklamon retorikën antiperëndimore në lidhje me bombardimet e NATO-s në vitin 1999 dhe mbështetjen e Rusisë gjatë luftës.

Duket se kjo ka pasur sukses sepse sipas një studimi të përjavshmes “Vreme”, 68 për qind e serbëve preferojnë marrëdhëniet me Rusinë sesa me Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, lidhjet ushtarake midis dy vendeve po forcohen. Qeveria serbe do t’i marrë dhuratë nga Moska 6 avionëve luftarakë Mikojani MiG-29 dhe dhjetëra tanke dhe automjete luftarake në të ardhmen.

Arsyeja, përveç zgjedhjeve të ardhshme, tensionet me Kosovën si pasojë e trenit në linjën Beograd – Mitrovicë. Hashim Thaçi më pas akuzoi Serbinë se po tenton ta zbatojë “modelin e Krimesë” për ta aneksuar pjesën veriore të territorit.

Si krijohet një vatër krize

Tani që Kosova është duke flirtuar me idenë që forcat e tyre të sigurisë të armatosura lehtë të transformohen në një ushtri të vërtetë, SHBA-ja dhe NATO-ja kanë kërcënuar se do ta tërheqin mbështetjen e tyre për mbrojtjen e Kosovës, nëse kjo ndodh.

Autoritetet në Prishtinë kanë frikë se për shkak të ndarjeve të brendshme në Bashkimin Evropian dhe administratës së re në Uashington, Perëndimi nuk do të ketë kohë për ruajtjen e sovranitetit shtetëror nëntëvjeçar.

Nëse tensionet vazhdojnë të rriten në mes të Serbisë dhe Kosovës, Rusia do të mundë ta përdorë gjendjen e krijuar për ta kthyer në një krizë të plotë në terren, transmeton “Zeri.info”.

Moska është aktualisht nën akuzat se këtë e ka provuar edhe në Mal të Zi, i cili e kishte akuzuar atë për komplotimin e vrasjes së kryeministrit Milo Gjukanoviç.

Rusia ka hedhur poshtë akuzat dhe ka akuzuar qeverinë malazeze se po shpif duke përdorur akuza të rreme.

Përhapja e dezinformatave

Edhe Maqedonia është nën sulmin e fushatës ruse të dezinformimit. Ministri i jashtëm i Rusisë akuzoi Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara se mbështesin lëvizjet “separatiste” të pakicës shqiptare, që përbën 25 për qind të popullsisë së Maqedonisë.

Javëve të fundit shqiptarët e Maqedonisë demonstruan duke kërkuar shtetin e tyre, por Moska thotë se Perëndimi mbështet këto interesa në mënyrë që ta krijojë “Shqipërinë e Madhe”.

Sondazhet e fundit tregojnë se Republika e Maqedonisë në të ardhmen më parë do të kërkojë ndihmë nga Rusia sesa nga Perëndimi për shkak se ata dyshojnë në angazhimin e tyre.

Qeveria ruse duket se nuk ka iluzione se mund t’i rreshtojë të gjitha vendet e Ballkanit në anën e tyre, por ata e shohin rajonin si një koshere që mund të krijojë një krizë tronditëse të cilën as BE-ja dhe as NATO-ja nuk mund ta menaxhojnë. /Newsweek/. /ZËRI/