Qytetarë të Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës ditët e karantinës kanë zgjedhur t’i kalojnë në Ohër dhe Strugë. Këtë të premte këto dy qytete turistike ishin të mbushura plotë, sidomos qyteti i Ohrit, ku vëreheshin shumë qytetarë të Shkupit por edhe qyteteve tjera të vendit.

“Ne jemi nga Shkupi, në Ohër ndihemi shumë mirë, sepse vijmë rregullisht këtu, jemi shumë të kënaqur, na përshtatet klima.”,- tha një qytetar.

“Kam ardhur nga Shkupi në Ohër për këtë vikend. Vij shpesh në Ohër, çdo vikend. Në çdo moment që jam i lirë, un vij këtu, sepse këtu kam edhe familjarë dhe shoqëri, kështu që situata e karantinimit në Shkup nuk ndikoi fare vendimin tim për të qenë këtu ku jam. I respektoj rregullat edhe në Shkup, apeloj që edhe këtu të respektohen masat.”,- theksoi një qytetar.

“Unë shumë shpesh vij e vizitoj Strugën dhe Ohrin, kam edhe shoqen prej këtu, gati çdo vikend jam këtu, gjithmonë kur jam i lirë kur jam në Strugë. E dua këtë vend se ka liqen, ka pastërti, i ka të gjitha ato që nuk i kanë qytetet tona dhe nuk është hera e parë për mua që kam ardhur sot.”,- tha një qytetar.

Por, qytetarët e Ohrit dhe Strugës nuk e panë të arsyeshme këtë fluks nga qytetet e vendit ku numri i të infektuarve është i lartë. Madje, ata ishin kritikë ndaj institucioneve që e lejuan një gjë të tillë, pas vendosjes së orës policore.

“Të ishte një vit para do e mendonim diçka pozitive për Strugën edhe për qytetin e Ohrit, sepse Struga dhe Ohri janë vende turistike, por në këtë gjendje nuk e shoh të arsyeshme aspak ardhjen e qytetarëve të tjerë nga Shkupi, ose Tetova, ose edhe Kumanova e vende të tjera, por edhe në këtë pjesë nuk mund t’i akuzojmë sepse nuk e dimë kush është apo kush nuk është me Covid-19.”,- theksoi një qytetar vendas.

“Unë mendoj që ministria dhe institucionet shëndetësore duhet të reagojnë urgjentisht që të stopohen ata qytetarë që vijnë këtu, sepse masat nuk janë ndërmarrë që ato të vijnë këtu, masat janë ndërmarrë që ata të karantinohen, prandaj është e rëndësishme që të ruhet shëndeti i qytetarëve. Me këtë shëndetësi të rrënuar që ka shteti ynë, gjëja e parë që duhet të bëjmë është që të mendojmë për shëndetin e atyre që i kemi në shtëpi, se ne që shëtisim lart e poshtë, nuk ruhemi edhe jemi mirë me shëndetin, duhet të mendojmë së paku edhe për ata që ndoshta kanë probleme shëndetësore.”,- u shpreh një qytetar vendas.

Ndërkohë, në 24 orët e fundit në Strugë është regjistruar një rast i ri me të infektuar. Institucionet lokale bëjnë apel që qytetarët t’u përmbahen rregullave, të mbajnë distancë, si dhe të respektojnë orën policore.