Një studim britanik tregoi se mbajtja e maskave mbrojtëse te popullata më e gjërë do të mund ta zvogëlojë përhapjen e Covid-19 deri në nivele që mund të kontrollohen, si pjesë e luftës kombëtare kundër epidemisë dhe, në kombinim me karantinën, do të mund të pengojnë valë të re të pandemisë.

Shkencëtarët nga universitetet britanike Kembrixh dhe Grinuiç në studimin treguan se vetëm karantina nuk është e mjaftueshme që të pengohet përhapja e sërishme e koronavirusit të ri SARS-cov-2, por madje edhe maskat e përpunuara në shtëpi munden në mënyrë të konsiderueshme ta zvogëlojnë shkallën e transmetimit të sëmundjes, nëse numri i mjaftueshëm i njerëzve mbajnë maska në ambient publik.

Analizat tona e përkrahin mbajtjen vijuese dhe të përgjithshme të maskave”, deklaroi Riçard Stuth, një nga shkencëtarët kryesor të studimit në Kembrixh.

Rezultatet nga hulumtimi tregojnë se mbajtja e maskave, distanca fizike dhe disa masa për karantinë mund të jenë “mënyrë e pranueshme për ballafaqim me pandeminë dhe hapje e sërishme e aktiviteteve ekonomike”, para se të gjendet vaksinë e suksesshme kundër Covid-19.

Organizata botërore e shëndetësisë publikoi instruksione, me të cilat i këshillon qeveritë që t’u rekomandojnë qytetarëve të mbajnë maska në ambient publik, që të zvogëlohet përhapja e sëmundjes.

Studimi tregoi se mbajtja e vazhdueshme e maskave në vende publike me sukses dyfish më të madh e zvogëlon vlerën R, se sa nëse maska mbahet pas paraqitjes së simptomave.

Në të gjitha skenaret e studiuara në këtë studim, mbajtja e rregullt e maskave te 50 për qind ose më shumë të popullatës, e zvogëlon përhapjen e koronavirusit të ri në R më të vogël se një, që e drejton lakoren e përhapjes së virusit dhe mundëson masa më të buta të karantinës./MIA