Suedia është e gatshme t’i ndihmojë Maqedonisë edhe në nivel bilateral dhe ndërkombëtar që vendi sa më shpejt t’i realizojë aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e ka porositur kryetari i Riksdagut suedez Urban Alin kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi në takimin që u mbajt në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Mbretërinë e Suedisë, njofton Fol.

Në këtë drejtim, Alin i ka përshëndetur përpjekjet e Maqedonisë që sa më shpejt t’i realizojë proceset reformuese, por edhe zgjedhjet lokale të mbajtura para pak kohësh, të cilat siç tha, kanë qenë korrekte dhe demokratike, diçka që bashkësia ndërkombëtare edhe e ka pritur nga Maqedonia.

“Këmbyem mendime rreth gjendjeve në dy vendet tona. Alin posaçërisht ishte i interesuar rreth procesit reformues, të cilin drejtim lëviz Republika e Maqedonisë. E njoftova se jemi në rrugë të mirë që deri në fund të vitit t’i sjellim ligjet dhe ndryshimet e ligjeve të nevojshme për këtë proces reformues. Ai shprehu kënaqësi nga ajo që Maqedonia e bën që t’i realizojë reformat, si dhe gatishmërinë e Suedisë që ta mbështesë Maqedoninë në planin bilateral dhe multilateral, posaçërisht në kontekst të anëtarësimit në BE”, deklaroi pas takimit kryetari i Parlamentit të Maqedonisë.

Xhaferi theksoi se kryetari i Riksdagut suedez ka qenë i interesuar edhe për procesin reformues në sferën e strukturave të sigurisë në kuptim të kontrollit të ndjekjes së komunikimeve. Xhaferi e ka informuar se grupi inter-resor i kryesuar nga ministri i Punëve të Brendshme tanimë e ka prezantuar draft versionin para parlamentit dhe se duke pasur parasysh atë që ndryshimet në atë pjesë përfshijnë edhe ndryshime të ligjeve të tjerë do të zgjasin më shumë dhe do të mund të miratohen në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Në këtë mënyrë, theksoi Xhaferi, do të mund të vendoset kontroll i plotë parlamentar i të gjithë autoriteteve, atje ku një rol të tillë ka Kuvendi.

Në takim të dy bashkëbiseduesit kanë konstatuar se komunikimi institucional nuk është në nivel më të lartë, dhe se mungojnë takime dhe vizita të përbashkëta.

“Të mendimit të përbashkët jemi se atë që e filluam në nivel të kryetarëve të parlamenteve, institucionet e tjera do të duhet ta ndjekin dhe se duhet të shpeshtohen takimet dhe komunikimet që ai bashkëpunim të mund të zgjerohet dhe thellohet në aspekte konkrete”, tha Xhaferi.

Informoi edhe se Alin ka qenë i interesuar në lidhje me zbatimin e ligjeve për mbrojtje të mjedisit jetësor, me ç’rast ka potencuar se janë të përgatitur që t’i ndajnë përvojat lidhur me përgatitjen dhe zbatimin e dispozitave në këtë sferë edhe me autoritetet qendrore dhe lokale.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë sot në kuadër të vizitës në Suedi do të takohet edhe me zyrtarë dhe hulumtues nga Shkolla për ekonomi e Stokholmit dhe Muzeu Vasa.

Ai paraprakisht kishte takim edhe me ministren e Punëve të Jashtme Margot Valstrom, dhe audiencë tek mbreti suedez Karli XVI Gustaf. Në të dy takimet është shprehur mbështetja nga Suedia për aspiratat evropiane të Maqedonisë, por është konstatuar se bashkëpunimit midis dy vendeve duhet edhe më tej të thellohet.

Para takimeve me ministren e Punëve të Jashtme dhe audiencën tek mbreti, kryetari i Parlamentit kishte takim edhe me  kryetaren e Këshillit të qytetit të  Stokholmit, Eva-Luiz Erlandson Slorah.

Në delegacionin e Kuvendit të Maqedonisë, që e kryeson Xhaferi, janë edhe deputetët Ejup Halimi, Fadil Zendeli dhe Frosina Remenski. Vizita zyrtare e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë në Mbretërinë e Suedisë realizohet me ftesë të nikoqirit të tij, kryetari i Riksdagut suedez, Urban Alin.

Mbretëria e Suedisë është monarki kushtetuese. Nga viti 1973 shef i shtetit është mbreti Karl XVI Gustaf. Parlamenti njëdhomësh Riksdag numëron 349 deputetë të cilët zgjidhen sipas modelit proporcional për mandat nga katër vite. Kryeministër i Suedisë nga viti 2014 është Stefan Lofven nga partia Socialdemokrate.

Marrëdhëniet diplomatike midis Maqedonisë dhe Suedisë janë vendosur në vitin 1993. Nga viti 2002, Mbretëria e Suedisë në komunikimin bilateral e përdorë emrin kushtetues ndërsa në takime ndërkombëtare e përdorë referencën. /Fol/