Legalizimi i ndërtimeve pa leje me ligjin e ri nuk do të jetë një euro për metër katror, ka njoftuar sot ministri për Transport dhe Lidhje, Goran Sugareski pas vendosjes së shtyllës së parë të largpërçuesit nga Shtipi në Probishtip. Ai të martën do ta prezantojë informatën dhe nevojën e sjelljes së ligjit të ri për legalizim të ndërtimeve pa leje.

“Komunalet do të jenë diku 100 për qind që është një lloj dënimi prej 50 për qind, plus UNESKO do të jetë jashtë nga ai Ligj që të mos kemi dilema absolutisht se do të ndodhë atje diçka edhe më tej. Personat me rrezik social janë të përfshirë në këtë pjesë, kanalizimet. Megjithatë mirë është së pari të kalojë informata në Qeveri dhe propozim ligjin ta dorëzojmë dhe më pas do të jeni plotësisht të informuar”, ka thënë Sugareski.

Ligji është bërë bashkë me komunat dhe BNJVL-në, ndërsa qëllimi është të zgjidhen objektet që për momentin nuk mund të legalizohen, konform Ligjit ekzistues.

I pyetur se si do të ndikojë mbi qytetarët dhe firmat të cilët ndërtojnë legalisht, Sugareski ka shpjeguar se ata që kanë ndërtuar ilegalisht do të paguajnë gjoba dhe komunale.

“Do të marrim për shembull Shtipin që për momentin ka 4.000 ndërtime pa leje ose nuk di, një grumbull nëpër shtet. Ne patjetër t’i zgjidhim, ata patjetër të kenë status juridik”, ka thënë Sugareski.

Kryeministri Zoran Zaev ka plotësuar se pas bisedimeve me BNJVL-në është shumë me rëndësi çka duhet të legalizohet nga objektet që nuk janë përfshirë me ligj, pasi opsioni tjetër është të rrënohen.

“RMV nuk është aq i pasur si shtet që të rrënojë të mira materiale. Duhet të bëjë që të mbrojë ato materiale, derisa dikush nuk i ka legalizuar, ndërsa ligji atë e ka dhënë më parë si mundësi. Atëherë legalizimi i ardhshëm do të jetë 150 për qind nëse komunalet janë 6.000 denarë ose 3.000 denarë, atëherë duhet të paguajë 4.500 në vend se 3.000 denarë. Ashtu që dënimi do të jetë i qartë”, ka thënë Zaev.

Ai pret që rastet sociale që kanë kësi ndërtimesh, të kenë gjitha përfitimet, ndërsa do të ketë hallkë në ligjin për zgjidhjen e disa objekteve që më herët nuk janë zgjidhur me ligjin ekzistues për legalizimin e ndërtimeve pa leje.