Thuajse të gjitha kryeqendrat evropiane kanë ndezur alarmin e sigurisë pas sulmeve të sotme në Bruksel. Kontrolle të shtrënguara në aeroporte, stacione trenash e metrosh, si dhe në kufij. Liderët botërorë dënuan sulmet makabre dhe i ofruan ndihmë Belgjikës për zbardhjen e sulmit.

“Ne po përballemi me një kërcënim global i cili kërkon përgjigje globale. Franca dhe Belgjika përjetuan këtë tmerr. Unë i ofrova qeverisë belge mbështetjen tonë të plotë për të ofruar të gjitha mjetet e nevojshme”, deklaroi Francua Hollande, president i Francës.

“Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar përballë këtyre terroristëve të tmerrshëm dhe garantojmë se ata asnjëherë nuk do të fitojnë”, tha David Kamerun, kryeministër i Britanisë së Madhe.

“Është një ditë e pikëlluar për Evropën pasi Evropa dhe kryeqendra e saj po vuajnë dhembjen e njejtë. Ne jemi të bashkuar në pikëllimin për viktimat por edhe në reagimet tona ndaj këtyre akteve, për të parandaluar radikalizmin dhe dhunën”, u shpreh Federika Mogerini, Shefja e politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së.

Edhe Berlini Zyrtar shprehu shqetësimin e thellë nga aktet e dhunës, duke theksuar se sulmi terrorist nuk kishte në shënjestër vetëm Belgjikën por lirinë e çdo kujt që është pjesë e BE-së. Për sulmet në Bruksel ka reaguar edhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili ka ofruar mbështetjen dhe asistencën e Shteteve të Bashkuara për të kryer hetimet për rastin. Mesazhe ngushëllues mbërritën edhe nga liderët e vendeve të rajonit përfshi Maqedonisë. Ministria e Jashtme e vendit njoftoi se nuk kishte shtetas të Maqedonisë në mesin e viktimave. Ndërkaq në Shqipëri autoritet kanë forcuar kontrollet në aeroportin Nënë Tereza, ku kanë mbërritur efektivë dhe makinë të policisë të cilët patrullojnë zonën dhe mbikëqyrin lëvizjen e udhëtarëve në terminal.