Autoritetet franceze dyshojnë se personi që tentoi të hynte me forcë në Muzeun e Luvrit, synonte të ndërmerrte një sulm terrorist.

Ai u qëllua pesë herë me plumba në pjesën e parkut ndërsa ndodhet në gjendje kritike për jetën. Mediat franceze thonë sipas prefektes së Parisit, se ai kishte thirrur “Allahu Ekber”, “Zoti është më i madhi”.

Një ushtar besohet të ketë pësuar lëndime në kokë.  Ministria e Brendshme franceze e konsideroi si një “incident serioz të sigurisë”.

Një person i dytë është arrestuar pasi ka ngjallur dyshime në vendin e ngjarjes por nuk dihet ende nëse ka lidhje me agresorin, i cili kishte një thikë me vete.

Kryeministri francez, Bernard Cazeneuve e ka përshkruar sulmin me “natyrë terroriste”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Pierre-Henry Brandet tha se identiteti dhe kombësia e të dyshuarit nuk dihet ende.

Ministri i Brendshëm Bruno Le Roux anuloi një udhëtim në Dordogne dhe shkoi për të vizituar ushtarin e dëmtuar.

Rreth 1,250 njerëz ishin brenda në galeritë e muzeut, ku ndodhet edhe “shtëpia” e Mona Lisa-s.

Zona u bllokua nga policia.