Në shkrimet e disa mediave serbe u tha se ekziston mundësia që në dialogun mes Kosovës e Serbisë të përfshihen edhe “lojtarë” të rinj. Mirëpo, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, reagoj menjëherë duke thënë se në dialog ndërmjetësuese është Bashkimi Evropian, nën ombrellën e se cilit zhvillohet dialogu, por në qoftë se dikush nga fuqitë e mëdha kërkon të përfshihet në dialog, atëherë do të përfshihen të gjitha fuqitë botërore.

Ministrja për dialog në detyrë, Edita Tahiri i tha lajmi.net se Rusia asesi nuk do të pranohet të jentë palë e tretë në bisedime, SHBA dhe Gjermani po.

Tutje, Tahiri tha se faza e fundit e dialogut do të përfundoj me njohje reciproke mes shteteve për një të ardhme pa konflikte për gjeneratat e reja.

“Dialogu do të ketë fazën finale. Tashmë idetë e para janë duke u diskutuar megjithatë se ne nga viti 2015 kemi bërë të qartë se faza finale është faza e njohjes reciproke mes dy shteteve. Duke marr parasysh që të vendoset paqe e përhershme mes të dyja shteteve, të mbyllet kapitulli i armiqësive dhe që e ardhmja për gjeneratat e reja të jetë një e ardhme me fqinjësi të mirë, pa konflikte”, ka thënë ajo.

Tahiri kujtojë, se është diskutuar edhe ideja e një formati gjithë përfshirë nga Kosova në dialog.

“Për sa i takon formatit, ne kemi bërë një debat joformal me shoqërinë tonë dhe me skenën politike përmes deklarimeve që do të duhej të ishte një gjithpërfshirje në delegacionin e Republikës së Kosovës, ku do të ishin të gjitha institucionet: presidenti, qeveria, parlamentit dhe spektri politik parlamentar, përfshirë edhe opozitën”, sqaroi ministrja në largim.

Sot, tha ajo “kam parë disa debate për ndryshimin e formatit, ku përveç Bashkimit Evropian të marr pjesë edhe SHBA dhe Gjermania. Të dyja janë të pranueshme, por kurrsesi nuk është e pranueshme pjesëmarrja e Rusisë si pjesë e palës së tretë në këto bisedime.”

Sipas Tahirit, SHBA edhe pse nuk është direkt në tryezë vazhdimisht është prezente në Bruksel ku zhvillohet dialogu.

“Në kemi bërë të qartë se SHBA është aleat i yni kryesor dhe ka qenë pjesë e bisedimeve më dialogun teknik, pjesë e tryezës negociatore në vitet 2011-2013”, tha Tahiri.

Ky debat do të vazhdojë, deklaroi ministrja në detyrë, por duke marr parasysh palët që janë të involvuara, “për ne faktori euroatlantik është i pranushem sepse ne kemi vizion euroatlantik me aleancë strategjike me SHBA-në dhe me Bashkimin Evropian përfshirë edhe Gjermaninë.”