Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti sot në kabinetin e tij kryetarin e Aleancës për Shqiptarë, njëherit dhe deputet në Kuvendin e RM-së Ziadin Sela.

Kryetari Taravari e njoftoi z. Sela me gjendjen aktuale në Komunën e Gostivarit, me ç’rast potencoi se për sa i përket ekipimit dhe menaxhimit me komunën në pjesën që nuk varet nga faktorë të tjerë, punët lëvizin nga e mbara dhe se ai uron që problemet me të cilat ballafaqohet, të tejkalohen dhe të punohet në mënyrë sa më efikase në interes të komunës së Gostivarit dhe qytetarëve të saj.

Pas takimit, z. Taravari dhe z. Sela organizuan një konferencë të përbashkët për shtyp ku kryetari i komunës Taravari ripërsëriti apelin e tij për debllokim të funksionimit të komunës së Gostivarit duke miratuar buxhetin për vitin 2017.

Ndërkaq kryetari i ASH-së duke u përgjigjur në pyetjet gazetareske drejtoi kritika ndaj politikave të kryeministrit Zoran Zaev, duke nënvizuar se pikërisht Gostivari është qyteti i cili demanton Zaevin i cili premtoi “Një shoqëri për të gjithë” dhe “Jetë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”. Sela me këtë rast tha se kjo nuk vërehet në Gostivar, përkundrazi, Gostivari vazhdon të diskriminohet nga pushteti aktual dhe ballafaqohet me shumë probleme politike.

“Në cilësinë e një kryetari edhe në opozitë, erdha të shoh qytetin e Gostivarit dhe simbolikisht përfaqësuesin e rreth 100 mijë banorëve të cilët janë të përjashtuar nga ai koncepti “Një shoqëri të përbashkët për të gjithë”, dhe në të njëjtën kohë i bëj apel kryeministrit që fjalia “shoqëri e përbashkët për të gjithë” këtu në Gostivar nuk vlen, sepse janë 100 mijë banorë të cilët i kanë lënë jashtë këtij koncepti duke vazhduar që të çojnë inate politike bashke me partnerin e tij BDI-në dhe duke lënë komunën e Gostivarit pa buxhet dhe pa perspektivë”, deklaroi Sela.

Edhe ai apeloi deri tek këshilltarët e BDI-së dhe LSDM-së që të tejkalojnë vetveten, t’i lënë anësh inatet politike dhe t’i venë interesat e qytetarëve para atyre partiake.

Ishte kjo vizita e parë zyrtare e Ziadin Selës në komunën e Gostivarit, prej kur Arben Taravari erdhi në postin e kryetarit të komunës.