BDI-ja nuk merr pjesë në çfarë do matematike për shtyrjen e zgjedhjeve të caktuara për me 11 dhjetor dhe do të votoje për shpërbërjen e Parlamentit në seancën e Parlamentit të cilën kur të duan le ta caktojnë, deklaroi Talat Xhaferi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.

Ai e mohoi se partia e tij qëndron prapa skenarëve të ndryshme, kalkulimeve dhe lojërave rreth caktimit të seancës ku do të votohej për shpërbërjen e Parlamentit.

“Nëse jemi marr vesh që të shkojmë në zgjedhje me 11 dhjetor, atëherë nuk ka logjikë që të bëhen lojëra me atë që jemi marr vesh. Le të mos luajnë me zjarr, nëse janë duke planifikuar se do t`i ikin marrëveshjes, duhet që të janë të vetëdijshëm se po luajnë me shtetin”, theksoi Xhaferi.

Në pyetjen çka nëse pranohet propozimi i VMRO-DPMNE-së që vendimi për shpërbërjen e Parlamentit të gjendet në seancë parlamentare qysh sonte, a do të lihet pa u zgjidhur çështja e njësisë zgjedhore numër gjashtë, Xhaferi theksoi se njësia zgjedhore numër gjashtë nuk është problem i BDI-së, por i shtetit.

“Njësia zgjedhore numër gjashtë nuk është problem i BDI-së, por është problem i shtetit dhe deri më tani duhej pastruar ajo çështje”, deklaroi Xhaferi./