Qeveria e kaluar me këmbëngulje promovon ndërtimin e Qendrës klinike, ndërsa në të vërtetë nuk bëhet fjalë për Qendrën klinike, por vetëm një ndërtesë për klinika interne dhe kjo është vetëm një zgjidhje e pjesshme.

Këtë e theksoi ministri i Shëndetësisë Arben Taravari në reagimin për ndërtimin e Qendrës së re klinike.

Sipas planit dhe projektit të tyre, konsideron Taravari, është paraparë të ndërtohet vetëm një ndërtesë në të cilën do të vendosen degët interniste, ndërsa në objektet e vjetra do të mbesin kirurgjia, onkologjia, gjinekologjia, kardiologjia dhe kardiokirurgjia, pediatria dhe spitali infektiv, njofton AIM.

“Maqedonisë i duhet Qendër e re klinike e kompletuar, duke pas parasysh se vendi dhe vendndodhja e qendrës së tanishme klinike aspak nuk janë adekuate. Dëshirojmë të ndërtojmë Qendër klinike sipas standardeve të larta botërore, ku do të ketë shumë hyrje, parkingje, klinika të lidhura mes vete, siç rekomandojnë personat profesionistë dhe inxhinierët, të specializuar në këtë fushë”, thekson Taravari. /Telegrafi/