Shkruan Dr. Arben TARAVARI

Titulli që është një shprehje e lashtë latine e krijuar për vdekjen që e kemi gjënë më të sigurt pasi vdesim, i cili po të përshtatej në shqip do të ishte “Për Të Vdekurin Duhet Folur Veç Mirë”…

Në traditën tonë kjo shprehje ka gjetur vend, pasi nëse dikush ndërronte jetë, kujtohej vetëm për të mirë…edhe nëse nuk kishte bërë ndonjë jetë për të lënë kujtime të mira, të parët tonë thonin – Zoti e faltë! Në rastet kur kishim vrasje e më pas hakmarrje, gjithsesi respekti për vdekjen ishte i atillë derisa vrasësi shkonte dhe merrte pjesë në funeralin e atij që kishte vrarë. Familjarët e viktimës nuk e preknin me dorë atë ditë, sepse si vrasësi si ata, respektonin diçka mbi tokësoren, ata duhet të bënin ritualet e Vdekjes!

Pra, ne si popull e kemi pasur shumë të fortë respektin ndaj të vdekurve, madje deri në pika të pabesueshme, gati-gati bizare. Duket se kjo traditë vazhdon dhe jeton midis shqiptarësh. Por është një shtresë e ulët, që kryesisht thirren nën emrin Politikanë, të cilët janë të shkëputur nga çdo njerëzore, nga çdo ndjenjë humane, kanë krijuar imunitet deri edhe ndaj dhimbjes që shkakton vdekja.

Të bashkuar me disa portale apo gazetarë që i kanë blerë, bëjnë show dhe politikë me Fatkeqësinë e Vdekjes! Pa pyetur se sa e re ka qenë viktima, pa pyetur për familjarët që ka lënë pas, dhimbjen e të cilit unë e klasifikoj si klinike, ata artikulojnë emrin e të vdekurit.

Lidhin vdekjen me shkaqe të trilluara kryekëput, krijojnë me pasion historinë sipas tyre, i bien tavolinave me grushte kinse në emër të vdekjes, oh Zot, dhe luajnë të Drejtët, të Prekurit, ndërkohë që janë Shpifës Mjeranë! Kështu viktima, nuk e di që kthehet në mollë politike, mungojnë vetëm postera me fytyrën e të ndjerit apo ndjerës, të shoqëruara me thirrje Emocionale, ndërkohë që…babai dhe nëna e viktimës vajtojnë të vetëm në shtëpi!

Lukunia e etur për pushtet që ulurit e bërtet sa nga një portal në një kamera, nuk i ka shkuar asnjëherë në shtëpi viktimës. As të ngushëllojë, as të pyesë si e çfarë, e as mbi të gjitha: Të respektojë! Duke festuar nën ethet e personaliteteve jo të ekuilibruar, ky grup i pretenduar “njerëzish” feston lajme vdekjesh, pasi kështu gjejnë motive për të ardhur në pushtet, duke vrarë pa mëshirë nga fillimi çdo të vdekur që bëhet viktimë nga fillimi i strategjive të tyre!

Kur familja del e thotë se “vajza jonë vdiq nga fatkeqësi natyrore dhe nga asnjë shkak tjetër, ndaj mjaft bëtë politikë me njeriun tonë”, atëherë turma e të indinjuarve ndjehet e zhgënjyer. Atyre ju shkoi një vdekje kot! Këto vdekjet që ndodhin për shkaqe natyrale apo aksidente pa fajtorë, për ata janë vdekje kot! Ata duan vdekje spektakulare, mundësisht viktima t’i çojë sa më shpejt nga maja ku kanë qenë…

Ikin dhe fshihen përsëri në skutat e tyre të errëta duke u lutur në agoni për një vdekje të radhës, kësaj here luten që mos diskreditohen, ata nuk dorëzohen kurrë, e keqja është bërë padron i tyre!

Gjithsesi populli që është shumica ka ende respekt për të ndjerët, dhashtë Zoti shuhen dhe ata që vrasin nga fillimi e nga fillimi vetëm për të marrë pushtet… memento mori… kujtohuni që do vdisni dhe ju!

P.S. Ky shkrim gjeti motiv tek një ngjarje e rëndë që ndodhi në Gostivar. Për respekt ndaj rastet nuk fola me detaje. Ngushëllimet e mia dhe të gjithë Gostivarit familjes Mexhiti, një Ëngjëll ju shtua Parajsës! Me dhimbje