I shoqëruar nga anëtari i Kryesisë Qendrore, Agron Rustemi, drejtuesja e Qendrës Analitike, Idila Pustina dhe ish delegatët e ASH-së në programin ACYPL, Flakron Bexheti, Faton Bilalli dhe Mimoza Musa, prita sot në takim në zyrat qendrore të partisë, përfaqësues të Këshillit Amerikan të Liderëve të Rinj Politik, të cilët janë duke qëndruar në një vizitë disaditore në Maqedoninë e Veriut.

Përfaqësuesit e këtij këshilli, u njohën nga afër me programin politik, sfidat dhe prioritetet e Aleancës për Shqiptarët, si një nga faktorët kyç në arenën politike në Maqedoninë e Veriut. Gjatë takimit u diskutua edhe mbi klimën politike në vend, rrugëtimin euro-integrues të vendit, proceset zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese. Gjatë takimit theksova se si pjesë e qeverisë, synimi kryesor i Aleancës për Shqiptarët është fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian, që mund të arrihet vetëm nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Përveç kësaj, Aleanca për Shqiptarët angazhohet vazhdimisht edhe për mirëqenien e qytetarëve të vendit, përmirësimin e kushteve në arsim, shëndetësi, digjitalizim, si dhe në luftën kundër korrupsionit, gjë të cilën e ka vërtetuar në këto 6 muaj qeverisje.

Në takim ishin të pranishëm edhe disa nga ish pjesëmarrësit e programit American Council of Young Political Leaders (ACYPL) të cilët kanë përfaqësuar ASH-në në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Flakron Bexheti, Mimoza Musa dhe Faton Bilalli ndanë me mysafirët eksperiencat e tyre nga vizitat nëpër institucionet amerikane të shtetit dhe njohuritë e fituara nga kjo përvojë. Përveç kësaj, diskutuan dhe ndanë mendime edhe mbi dallimet dhe ngashmëritë në proceset politike dhe vendimmarrëse ndërmjet dy vendeve.

Takimin e mbyllëm duke falënderuar mysafirët për vizitën, si dhe shpreha mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadës së SHBA-ve në Shkup për përkrahjen e vazhdueshme ndaj ASH-së dhe Maqedonisë së Veriut në të gjitha proceset politike.