Komuna e Gostivarit filloi me përgatitjen për hapjen e çerdheve. Sipas kreut të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, hapi i parë është skriningu i punëtorëve, ndërsa testimet do të bëhen më 25 dhe 26 maj.

“Për hapjen e çerdheve kompetente është Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe ato duhet ta japin fjalën e fundit. Megjithatë, është e rëndësishme që të hapen dhe prindërit e fëmijëve të kthehen në punë. Shpresoj që muajin e ardhshëm, dyert e çerdheve do të hapen”, tha Taravari, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Skriningu do të bëhet me teste RSR, ndërsa qëllimi është që të identifikohen njerëzit që janë të infektuar, por nuk e dinë për shkak se nuk kanë simptoma.

Taravari thotë se duhet më shpejt të zbatohet edhe testimi i punonjësve në sektorët publik me çka do të mundësohet vlerësim më i mirë për lehtësimin e masave kufizuese.

Ndryshe, që nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, rreth 700 fëmijë në Gostivar ndodhen nëpër shtëpi në vend të çerdheve.