Të akuzuarit në rastin e Kumanovës bojkotuan gjykimin e sotëm, të irrituar nga gjykatësja Verka Petrovska të cilës i thanë se mohon drejtësinë dhe merr vendime politike. Bojkotoi edhe avokati Shasivar Iseini të cilin gjykata e gjobiti me 1200 euro dhe harxhimet e seancës së sotme.

“Kjo është e montuar. Kjo mund të shihet nga fjalimi juaj, nga komentimi i keq i normave ligjore”, deklaroi Shasivar Iseini, avokat.

Ishte Shefqet Hallaçi së bashku me Demë Shehun që mohuan gjykatën dhe i thanë Petrovskës se qëllimisht refuzoi funksionarët e propozuar dhe provat e reja, për të penguar zbardhjen e rastit. Demë Shehu dhe Shefqet Hallaçi u përjashtuan nga salla me pranga në duar, por turma e të akuzuarve të hidhëruar nuk u qetësua.

Secili prej të akuzuarve kërkoi veç e veç të merr fjalën duke akuzuar gjykatën për nacionalizëm , dirigjime politike dhe kundërshtim të së vërtetës. Të akuzuarit i thonin gjykatësit se ajo qëllimisht nuk lejon të dal e vërteta dhe këtë e ka dëshmuar me refuzimin e të gjithë dëshmitarëve dhe provave kur përfshihen pushtetarët.

“Përse nuk i thirrni dëshmitarët. Përse nuk doni të dalë e vërteta”, tha Valdet Zekaj, i akuzuar.

“Unë ua kam treguar të vërtetën por juve nuk po ju intereson”, deklaroi Nasur Bekiri, i akuzuar.

“Përse ju dhemb kaq shumë…Unë nuk e pranoj këtë gjykatë dhe dua të dal jashtë”, tha Genci Sefaj, i akuzuar.

“Po na bëni shumë padrejtësi. Unë vetëm dua drejtësi. Nëse nuk ka drejtësi atëherë nuk do të ketë as qetësi”, tha Arsim Bajrami i akuzuar.

“Nuk dua të qëndroj dhe të dëgjoj çfarë flisni. Edhe ashtu jam shumë i malltretuar, edhe e di që nuk më dëgjohet fjala”, u shpreh Mirsad Qerimi, i akuzuar.

Verka Petrovska nuk e pati problem ti nxjerrë thuajse të gjithë të akuzuarit jashtë, përpos Irfan Lutfiut, Besnik Ajdinit dhe Ibrahim Murtezanit të cilët nuk pranuan të lëshojnë sallën, përkundër apeleve të avokatëve.

Avokati Lupço Veselinovski tha se nuk do të heqin dorë nga zbardhja e rastit, përkundër hendikepit të madh që iu është shkaktuar me refuzimin e dëshmitarëve dhe kërkesën për përjashtimin e gjykatës dhe prokurorisë.

”Ne kemi instrumente juridike si mbrojtës që edhe më tej të propozojmë prova, të kundërshtojmë të njëjtat dhe në një luftë juridike ta dëshmojmë të vërtetën. Se përse deri tani gjykata nuk i ka pranuar propozimet është qëndrim i sajë. Lufta jonë vazhdon…Qenë propozuar më shumë ish ministra, ministra aktual, kryeministri, por asnjëri prej këtyre personave nuk u pranua”, deklaroi Lupço Veselinovski, avokat .

E pyetur se a kanë arsye të akuzuarit të dyshojnë në Prokurorinë, Villma Ruskovska hodhi poshtë të gjitha dyshimet që ngriten mbi njëanshmërinë e saj.

“Gjithë ato emra të politikanëve, mbrojtja i kishte të njohura që në fazën e hetimit. Sipas Ligjit të ri për procedurë penale, nuk ka mundësi që ajo që ka qenë e njohur gjatë hetimit, të propozohet si provë shtesë. Mund të propozohet vetëm diçka që mund të dalë si provë shtesë nga shqyrtimi kryesor”, deklaroi  Villma Ruskovska, prokurore.

Të akuzuarit nuk u pranojnë si prokurore, a kanë të drejtë të mos u besojnë?

“Arsyetimi i kolegut Naser Raufi ishte shumë i shkurtër. Gjoja se unë jam kërcënuar me padi penale diçka. Kjo nuk është aspakt e vërtetë”, shtoi mw tej ajo.

Seanca e ardhshme  rastit të Kumanovës është më 30 maj, por nuk dihet nëse do të akuzuarit përsëri do të bojkotojnë dhe nëse këtij bojkoti do ti bashkangjiten edhe avokatët. /SHENJA/