Nxënësit janë ende në ethe se çfarë do të ndodh me procesin mësimor. Derisa në opinion po flitet për disa modele se si do të vijoj mësimi nga shtatori, në Komisionin për Sëmundje Ngjitëse edhe sot nuk u mblodhën për të diskutuar për këtë çështje. Edhe pse ishte paralajmëruar që sot dhe nesër ata të trajtojnë këtë problematikë, Komisioni ka në dispozicion edhe gjashtë ditë deri në datën finale, që është 10 gushti, periudhë në të cilën duhet të bëhet përpilimi nga ana e Komisionit dhe miratimi i protokolleve arsimore nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq, më 15 gusht veçmë përfundon pushim vjetor i mësimdhënësve dhe atëherë ata duhet të kthehen në vendet e tyre të punës.

Modelet që janë diskutim se si të nisin mësimet janë tre. Modeli i parë parasheh që fëmijët të kthehen në shkollë, mësimin ta ndjekin në distancë, me maska dhe duke dezinfektuar vazhdimisht duart. Ora mësimore do të zgjasë 20 minuta, ndërkaq në klasë nuk do të ketë më shumë se 15 nxënës. Modeli i dytë parasheh që në rast se nxënësit kanë më shumë se 15 nxënës, atëherë klasa ndahet në dy grupe. Grupi i parë mëson në shkollë, ndërkaq i dyti mëson nga shtëpia me detyra shtesë. Grupet do të bëjnë rotacion çdo një apo dy javë. Modeli i tretë parasheh mësim online. Kjo do të zhvillohet me fëmijët që vuajnë nga sëmundje kronike dhe në komunat ku rastet me Kovid-19 janë të larta.

Në anën tjetër, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme në RMV paraqet shqetësim për situatën në të cilën gjendet arsimi. Ata kanë përpiluar disa kërkesa në formë të udhëzimeve, për siç thonë në dobi të të gjithë pjesëmarrësve, përmes të cilëve kërkojnë që shëndeti, siguria dhe mirëqenia e nxënësve duhet të jetë në qendër të vëmendjes në udhëzimet për rikthim në shkollë.

UNSHM

“Pandemia në të cilën gjendemi momentalisht ka theksuar më shumë se kurrë se arsimi luan një rol vital në shoqëri dhe komunitetet e shkollave në Maqedoninë e Veriut pjesërisht i janë ngritur ballë sfidës së tranzicionimit në mësimin nga distanca, pavarësisht pengesave strukturore dhe logjistike. Në një kohë ku shumë shtete janë duke punuar gradualisht në rihapje të plotë të jetës – përfshirë këtu edhe shkollat – Maqedonia e Veriut as që ka një plan konkret për rihapjen e shkollave për shkak të udhëheqjes jo-profesionale të organeve kompetente arsimore”.

Në fund kanë shtuar se tani është koha për autoritetet arsimore të punojnë bashkërisht me komunitetet shkollore për të sigurua që nxënësit në mënyrë graduale dhe të sigurt, të ribashkohen në bankat shkollore. Emine Ismaili /SHENJA/