Pjesa më e madhe e të infektuarve nga virusi COVID-19 në Maqedoninë e Veriut edhe pasi kalojnë në kategorinë e pacientëve të shëruar nga ky virus, thonë se iu lë gjurmë në shëndetin e tyre pasi ndjejnë plogështi në trup, herë pas herë përzierje në stomak dhe marramendje.

Fitim Kryeziu me profesion gazetar dhe njëherësh kryetar i Klubit të Basketbollit ‘Albes’ në Shkup, për Radion Evropa e Lirë rrëfen se lufta e tij me koronavirusin ka qenë shumë e vështirë.

Me shfaqjen e simptomave të para në fillim të muajit gusht, ai për tetë ditë është mjekuar në kushte shtëpie, por me përkeqësimin e situatës shëndetësore, Fitimi është shtrirë për dy javë në Klinikën Infektive në Shkup.

Ai duke shpjeguar përvojën e tij për sa i përket përballjes me virusin COVID-19, thotë se ka bërë gabim që nuk është paraqitur në spital menjëherë pas shfaqjes së simptomave të para.

“Kjo periudhë e shërimit në kushte shtëpie mendoj se ka qenë gabimi më i madh i imi, dhe këtë gabim si duket e bëjnë shumica e personave të prekur nga COVID-19 të cilët tentojnë që me çdo kusht të shërohen në kushte shtëpiake dhe në klinikë drejtohen kur veçmë janë në gjendje shumë të rëndë ku dhe intervenimi i mjekëve në këtë gjendje është shumë më i rëndë” thotë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se pas marrjes së terapisë, në ditën e tretë në Klinikën Infektive, gjendja e tij shëndetësore ka filluar të përmirësohet.

Po ashtu, Kryeziu tha se edhe pas shërimit nga virusi, tanimë dy muaj negativ në testim, ka probleme shëndetësore.

”Për sa i përket periudhës së pas-shërimit (pas rezultatit negativ) ajo është e rëndë, ku në raste të caktuara ndoshta i ndjej simptomat e njëjta sikurse gjatë kohës që isha i infektuar me virus. Sigurisht se në përjashtim të temperaturës trupore të cilën nuk e kam pasur që nga përudha kur kam dalur nga spitali, por simptomat që i ndjej edhe sot janë marramendjet, kokëdhembjet e mëdha në raste të caktuara, por edhe dhimbjet në këmbë dhe duar. Në raste të caktuara kam edhe dridhje në duar dhe në këmbë“, tha ai.

Ai thekson se infeksioni është serioz dhe në asnjë mënyrë nuk duhet neglizhuar sepse ai mund të jetë agresiv edhe tek ata të cilët janë me kondicion fizik të mirë.

Mjekët thonë se gjendja shëndetësore e brishtë e pecientëve të shëruar nga virusi COVID-19 paraqitet si normale për pacientët e shëruar nga kjo sëmundje e re.

Farmacistët i hedhin poshtë dilemat e shumta në opinion se simptomat pas shërimit janë si rrjedhojë e terapisë së rëndë që pranojnë këta pacientë.

Bistra Angellkovska, farmaciste, thotë se ilaçet që i pranojnë të sëmurët me COVID-19 nuk janë të reja, pra përdoren me vite dhe të njëjtat nuk lënë pasoja afatgjate tek pacientët.