Të mërkurën dhe të premten do të vazhdojnë serish negociatat për rritjen e pagave ne arsim dhe kopshte mes SASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit.

Ky do të jetë afati i dytë dhe i fundit 10 ditor që parasheh Marrëveshja paqësore, epilogu i së cilës do të vendos nëse greva do të riaktivizohet ose jo.

Gjithashtu, nga përfundimi i këtyre negociatave do të varet edhe pagesa e mëditjeve për gjithë punonjësit që ishin në grevë.

Nga SASHK-u besojnë se pagesa e plotë e pagave do të bëhet ndaj punonjësve të arsimit, por shtuan se marrëveshja paqësore mund të rrezikohet nëse nuk paguhen mëditjet e punonjësve në kopshte që gjithashtu ishin në grevë.

Alsat kontaktoi disa drejtorë shkollash të cilët thanë se në komunat përkatëse tashmë kanë dorëzuar listën për pagesë të pagave të plota por nuk kanë marrë përgjigje kthyese.

Nga ana tjetër, komunat mbeten në pritje të një vendimi nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Punës e Politikës Sociale se si duhet vepruar, pavarësisht se i kanë fondet për pagesën e plotë të rrogave.

Nga SASHK-u bënë të ditur se kanë përafruar qëndrimet për rritjen e pagave, por se fjala e fundit i mbetet Ministrisë së Financave e cila duhet të zbuloj shumën e fondeve shtesë që mund të sigurohen nga ky dikaster.

Gjithashtu, sipas sindikatës akoma mbetet e paqartë nëse viti shkollor do të përmbyllet më 10 qershor. Në negociatat e kësaj jave pritet të definohen afatet përfundimtare për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm./ Alsat.mk