Marijuana ka qenë me njerëzit prej mijëra vjetësh, por ende vazhdon debati se cilat janë saktësisht avantazhet dhe rreziqet e saj. Në një studim të fundit prej rreth 400 faqesh, kërkues amerikanë kanë sjellë disa nga cilësitë e saj pozitive dhe negative, të cilat vlejnë gjithashtu dhe për bimë të tjera kanabinoide dhe kimikatet që gjenden në to.
 
Avantazhet 
 
Studimi vinte në konkluzionin se marijuana është e mirë për trajtimin e dhimbjeve kronike ve dhe në këtë rast, është më pak e dëmshme sesa qetësuesit me bazë opiumi. Raporti citonte gjithashtu se ka prova se marijuana mund të trajtojë ndjesinë e të përzierave dhe të vjellit që kanë pacientët e kemio-terapisë. Të dyja këto konkluzione bëjnë që kanabis të jetë një qetësues i mirë për pacientët e kancerit.
 
 Raporti tregonte disa prova se marijuana ka efekt të përkohshëm në njerëzit me probleme pagjumësie si dhe te ata me sindromën apnea të gjumit, fibromialgi, dhimbje kronike dhe sklerozë.
 
Kishte prova të kufizuara se marijuana trajtonte problemet me oreksin dhe humbjen e peshës nga sindroma si HIV/AIDS, përmirësonte ankthin shoqëror dhe sindromën e stresit post-traumatik.
 
Rreziqet e marijuanës
 
Megjithse ajo nuk shkakton vdekjen, kanabis konsiderohet si drogë e rrezikshme nëse përdoret pa konsultimin e mjekut. Tymosësit afat-gjatë rrezikohen nga sëmundje të rrugëve respiratore dhe bronshit të shpeshtë. Për gratë shtatzëna kanabis rrezikon peshë më të vogël te bebja. Përdoruesit afat-gjatë rrezikojnë gjithashtu të preken nga skizofrenia dhe psikoza të tjera. Raportohej një lidhje mes përdorimit të marijuanës dhe aksidenteve me makinë.
 
Në rreziqe të tjera të përdorimit të marijuanës përfshiheshin rritje e shanseve të kancerit të testikujve, e atakut kardiak dhe e sëmundjeve pulmonare. Kishte disa prova se marijuana përkeqësonte disa sëmundje mendore si çrregullimet depresive, çrregullimin bipolar dhe nxiste vetëvrasjen.
 
Përveç gjendjeve mjekësore, studiuesit flisnin edhe për probleme psikologjike. Disa sinjale tregonin se ajo pengonte të mësuarit, memorien dhe vëmendjen, teksa ata që tymosin rezultonin më të dobët në arsim, punë, të ardhura e funksione sociale.
 
Raporti nuk gjeti lidhje mes marijuanës dhe kancerit të mushkërive e të qafës, që zakonisht lidhjet me tymosjen e duhanit.