Përdoruesit e terapisë me insulinë nga Struga ankohen se nuk kanë gjilpëra për insulinë. Ata marrin nga shteti më pak gjilpëra se sa ju nevojiten, prandaj nuk mund ta zbatojnë terapinë ashtu siç duhet, shkruan Alsat-M .

Përfaqësuesit e shoqatës së të prekurve nga diabeti thonë se në mungesë të insulinës rrezikohet shëndeti i shumë qytetarëve. “Një gjilpërë e përdorim pesë herë. Kjo nuk është mirë sepse mund të vijë tek infeksioni, skuqja dhe të infektohet dikush. Më herët jepnin më shumë gjilpëra tani japin vetëm nga një dhe çështja është kush mund të merr”, tha Ivo Dukovski, kryetarë i shoqatës së të sëmurëve me diabet. Për probleme të ngjashme kohë më parë u ankuan edhe shumë qytetarë nga Ohri, por zgjidhje për këtë problem ende nuk ka.

Nga shoqata e të prekurve nga nga diabeti në Strugë ankohen edhe për probleme tjera. “Të gjithë përdoruesit e ri të cilëve iu takon aparat për matjen e sheqerit tashmë nuk kanë mundësi t’i marrin. Falas janë edhe shiritat edhe aparati. Ato janë të shtrenjta, shteti është i obliguar që të na furnizojë”, u shpreh Ivo Dukovski, kryetarë i shoqatës së të sëmurëve me diabet. Në Strugë janë regjistruar rreth 2000 përdorues të insulinës dhe ky numër vazhdimisht rritet.