Tërheqja e ministrave, kontradikta në BDI

Vetëm brenda pak ditësh, BDI-ja ka pasur qëndrime kontradiktore nëse tërheqja e kuadrove të saj nga Qeveria do të ndihmonte zhbllokimin e procesit ose do të impononte zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ditë më parë, vetë zëdhënësi Bujar Osmani deklaroi se tërheqja do të nënkuptonte zgjedhje të parakohshme.  Unë dëgjova edhe sugjerime se BDI-ja do të duhet të largohet nga Qeveria për të ndihmuar formimin e Qeverisë së re. Kemi deklaruar disa herë se dalja e BDI-së nga Qeveria teknike imponon zgjedhje të parakohshme. Nëse dikush preferon zgjedhje të parakohshme mund ta diskutojmë – tha Bujar Osmani, zëvëndës i BDI-së.  Një ditë më parë kjo parti në tryezë hapi debatin për tërheqjen e mundshme të ministrave të tyre nga Qeveria teknike por kreu i kësaj partie Ali Ahmeti, nga ana tjetër tha se nuk përkrahin idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.  Kemi analizuar tërheqjen e pjesëtarëve të ekzekutivit të Bashkimit Demokratik për Integrim të shohim se sa mund të kontribuojë në zhbllokimin e situatës sepse ka zëra që kjo mund të jetë një kontribut. Nuk është zgjidhja më e mirë shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Kemi probleme shumë më të rëndësishme. Zgjedhjet e parakohshme nuk do të thotë se ofrojnë një zgjidhje më të mirë dhe ne jemi në kërkim të zgjidhjeve më të mira tani që të dalim nga kjo situatë – deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.  Nëse BDI-ja merr vendimin e largimit të ministrave dhe zv/ministrave të saj nga kabineti qeveritar, mbetet e paqartë se si do të verifikohen dorëheqjet e tyre në kohën kur Kuvendi është akoma i pa konstituuar. Nëse llogaritë përfshinë edhe ministrin e brendshëm Agim Nuhiu që mori postin pas largimit të ish ministrit Oliver Spasovski, BDI-ja ka 9 nga gjithsej 26 anëtarë në kabinetin qeveritar. Kushtetuta parashikon që në rast të dorëheqjes së 1/3 së anëtarëve të kabinetit, Kuvendi të vendosë për zgjedhjen e Qeverisë së re.   Kryetari i Qeverisë mund të propozojë shkarkimin e anëtarit të Qeverisë. Për propozimin e shkarkimit të anëtarit të Qeverisë vendos Kuvendi në seancën e parë të radhës. Përderisa kryetari i Qeverisë propozon shkarkimin e më shumë se një të tretës së anëtarëve të Qeverisë nga përbërja e nivelit të parë, Kuvendi vendos si për zgjedhjen e Qeverisë së re – thuhet në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.  Kushtetuta nuk precizon nëse kjo nënkupton mbajtjen e zgjedhjeve të reja ose votimin e Qeverisë së re në Kuvend./Alsat/