Me takim tet-a-tet të kryeministrave të Maqedonisë dhe të Bullgarisë Zoran Zaev dhe Bojko Borisov në manastirin Vodoça në Strumicë filloi seria e aktiviteteve në kuadër të seancës së sotme të qeverive të dy vendeve, përcjell Fol.

Zaev dhe Borisov pas bisedimeve në Vodoça do të vendosin lule para përmendores të ish- presidentit Boris Trajkovski në qendër të Strumicës.

Më pas pritet të fillojë seanca plenare në Shtëpinë e ARM-së në Strumicë. Nga ana bullgare në seancë do të marrin pjesë zëvendëskryeministrat Tomisllav Donçev, Krasimir Karakaçanov dhe Eketarina Zaharieva, ministrat Valentin Radev, Nikollaj Nankov, Neno Dimov, Rumen Porozhanov, Ivajlo Moskovski, Emil Karanikollov, Temenuzhna Petkova dhe Nikolna Angellkova.

Pritet  të nënshkruhen nëntë dokumente për bashkëpunim dypalësh  në fushën e politikës së jashtme, investimeve, energjetikës, mbrojtjes, turizmit, telekomunikimeve, infrastrukturës dhe për reagime gjatë katastrofave natyrore. Gjatë seancës duhet të nënshkruhet edhe memorandum për mirëkuptim mes Ministrisë së Transportit, Teknologjisë Informatike dhe Komunikimit të Bullgarisë dhe Ministrisë së Maqedonisë të Shoqërisë Informatike dhe Administratës për uljen e tarifave ndërkombëtare për roaming për shërbime të telekomunikimeve, që e aprovuan dje qeveritë e të dy vendeve.

Marrëveshjet janë pjesë e përmbushjes së Marrëveshjes për miqësi, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë të nënshkruar më 1 gusht të këtij viti në Shkup.

Është paraparë edhe ceremoni për ndarjen e mjetit të specializuar transportues për persona me aftësi të kufizuara, donacion nga Bullgaria për komunën e Strumicës.

Për nevojat e mediave në Shtëpinë e ARM-së në Strumicë do të sigurohen hapësira pune.

Kjo është seanca e parë ndërqeveritare që e mban Qeveria e kryeministrit Zaev me Qeverinë e shtetit fqinj. Në dhjetor në Pogradec është dakorduar edhe seancë e përbashkët qeveritare midis Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Pardje gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit Zaev në Beograd është dakorduar edhe seancë e përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Serbisë, e cila duhet të mbahet nga fundi i shkurtit apo në fillim të marsit të vitit të ardhshëm. /Fol/