Që prej pesë ditësh Tetova sërish është pa ujë të pijshëm. Banorët shprehen të revoltuar skajshmërish. Thonë së në kohë pandemie të mos kesh ujë për t’i pastruar duart është e tmerrshme. Një pjese e tyre iu drejtuan Ndërmarrjes Publike Komunale për të kërkuar llogari për situatën. Sipas tyre në planetin Mars u gjet uji, ndërsa në Tetovë s’ka.

“Nuk ka nuk ka ujë, do vjen pak sa të rrjedh pak dhe ndalet, edhe atë në pjesët e poshtme, në ato më lartë jo. Çka është kjo, në këtë shekull në këtë pandemi mos kemi ujë. Me bidonë me blerje. Tani e lajmërova këtu, po mirë mirë më thonë, në rrëzë Sharri mos të kemi ujë. Në mars njerëzit shkuan dhe gjetën ujë, këtu nuk gjetën ujë”.

“Kjo nuk është normale për qytetin pasi kaluan disa vite disa dekada që premtohet vazhdimisht e kur vjen të realizohet herë problem me fondet herë me projekte”.

Nga Ndërmarrja publike komunale, sektori i ujësjellësit, për Alsat kanë deklaruar se mungesa e ujit ka ardhur si pasojë e ngrirjes së burimeve dhe shterjes së ujit në rezervuare. Nuk përjashtojnë edhe mundësinë e kthimit të restrikcionit.

Kemi ulje të temperaturave dhe kur bien temperaturat kemi shtrëngim të burimeve dhe prurjeve në burime. Temperaturat e ulëta e kanë bërë të veten dhe nuk kemi depërtim të ujit në burime. Nëse vazhdon kjo rënie do detyrohemi të bëjmë ndonjë zgjidhje, ose do duhet ti hyjmë asaj më të padëshirueshmes, restrikcionit”, tha Lulzim Shaqiri, NKP – Sektori i ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Ka reaguar edhe opozita. Aleanca kërkon të paktën informim të banorëve në kohë.

Sipas kësaj i bie që ne mos kemi ujë gjatë tërë vitit, sepse dimrit ngrijnë dhe verës thahen burimet! Në faqen e internetit të ndërmarrjes nuk ka asnjë informatë se përse qytetarët privohen nga kjo e drejtë themelore njerëzore, dhe kjo do të thotë shkelje flagrante e të drejtës themelore të njeriut për qasje tek uji i pijshëm”, pohoi Kujtim Sejdiu. ASH, Dega e Tetovës.

Tetova për momentin ka rreth 210 litra ujë të pijshëm në sekondë që është e pamjaftueshme për furnizimin e gjithë qytetit me ujë të pijshëm, në krahasim me para një jave, kur kjo sasi ishte për 80 litra më shumë.