Përplasja mes banorëve të fshatit Nerasht dhe komunës së Tearcës, ka lënë këto të parët pa ujë për pije që prej tre muajsh, edhe përkundër temperaturave tropikale.
Pas rregullimit të sistemit të ri të ujësjellësit, nga komuna e Tearcës kërkojnë që banorët të paguajnë paushallin prej 300 denarësh në muaj, ndërsa banorët nuk pajtohen duke kërkuar vendosjen e orë matësve për shkak të se disa prej tyre vadisin bahçet me ujin për pije.

“Unë do isha pajtua me orë matës, sepse nuk është njëjtë dikush ka pishinë dhe ujitën kopshtin, ndërsa dikush ka vetëm një çezmë dhe e përdor ujin për pije. Pra këtu bëhet padrejtësi prej fillimi deri në mbarim”.

“Nuk ka ujë për pije në Nerasht. Ujë kemi sa të duash por për pije nuk bën. Ama jo, paushall mujor nuk mundet, një njeri që vadit bahçen tërë verës dhe njëri që ka vetëm një çezmë me paguar nga 300 denar nuk është e njëjtë. Unë e vaditi bahçen mbushi edhe pishinën, dhe nuk mund të krahasohem me një njeri që ka vetëm një çezmë dhe të paguaj 300 denarë”.

Nga ana tjetër, komuna e Tearcës iu bën apel që të ulen dhe ta zgjidhin këtë problem, në të kundërtën do të përballen me mungesën e ujit.

“Çështjen e ujit të pijes në Nerasht, ujin nuk e mbyll komuna, përfundimisht e mbyllin qytetarët vet. Tetë muaj kanë kaluar një orë matës nuk është vendosur. Çelësi është tek ata, me sinqeritetin më të madh i lus ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë. Ju bëj apel udhëheqësisë së atij vendbanimi, urdhëroni, jemi të hapur”, tha Hisen Hasani. kryetar i komunës së Tearcës.

Gjatë këtyre muajve të nxehtë të verës, gjysma e fshatit shfrytëzojnë ujin e sistemit të vjetër, i cili nuk është për pije, ndërsa gjysma tjetër e fshatit, ujin për pije e sigurojnë ose me blerje nëpër shitore, ose me mbushje bidonësh, diku afër tetë kilometra larg fshatit./alsat-m