Përkundër shumë premtimeve për ndërrimin e emrave të shkollave të mesme në Tetovë, të cilat i përkasin periudhës së komunizmit, zgjidhja duket e paarritshme. Edhe pse vet ministrat e Arsimit Abdilaqim Ademi dhe Pishtar Lutfiu kishin premtuar ndryshimin e emrave, nga ky dikaster tash thonë se nuk kanë pranuar akoma kërkesë apo iniciativë konkrete.

 

Deri më tani në Ministri nuk ka arritur një gjë e tillë, ndonjë nismë apo kërkesë, sepse ne si Ministri e Arsimit jemi të obligueshëm të respektojmë vullnetin e mirë, dëshirën e shumicës së atyre nxënësve prindërve apo arsimtarëve që kërkojnë ndonjë ndryshim të emrit apo ndryshim statutar në atë shkollë – tha Safet Neziri, Këshilltar në Ministrinë e Arsimit.

Kreu i Këshillit Komunal të Tetovës Isen Xhemaili, i cili një vit më parë premtoi zgjidhjen e shpejtë të çështjes, tani shfajësohet duke thënë se problemi qëndron tek kriza politike dhe raportet mes këshilltarëve.

 

Çështja e emërtimit të shkollave shesheve apo rrugëve, vazhdon të mbetet peng i konsensusit politik por edhe ndëretnik këtu në komunat multietnike. Deri tani nuk kemi arritur të kemi ndonjë konsensus ndëretnik ndërmjet partive që përfaqësohen në këshill për të marrë nismë për ndërrimin e emrave –dekalroi Isen Xhemaili, Kryetar i Këshillit Komunal të Tetovës.

“I pa ndërruar madje ka mbetur edhe emri i kësaj shkolle, Shkolla e Mesme Mosha Pijade, edhe përkundër faktit se vit më parë gjatë një vizite pikërisht në këtë shkollë ish Ministri i Arsimit Abdylaqim Ademi paralajmëroi se kjo procedurë tanimë është e filluar dhe së shpejti do të kryhet. Por siç e shihni, në mes të shkollës, edhe më tutje vazhdon të qëndrojë busti me emrin Mosha Pijade”

Derisa kjo çështje të zgjidhet nxënësit e shkollave të mesme të Tetovës, dokumentet e tyre edhe më tej vazhdojnë ti marrin me emrat Mosha Pijade, Kiril Pejçinoviç, Nikolla Shtejn, apo Gjoçe Stojçevski./Alsat