Edhe pse në Komunën e Tetovës, ka softuerë për mbledhjen e tatimit mbi pronën, për dallim nga rasti i Haraçinës që ALSAT trajtoi prej disa ditësh, në Tetovë ka një sistem të mbledhjes së tatimit por ka munguar forca reale e pushtetit lokal në mbledhjen e tij, si dhe kultura qytetare për të paguar këtë takim.

Në hetimin tonë të shtrirë nëpër komunat e vendit, në Tetovë rezulton se ky tatim nuk është paguar asnjëherë më shumë se 60%. Për 4 vitet e fundit, Bilall Kasami, kreu i ri i Tetovës, thotë se qytetarët i detyrohen komunës 3,5 milion euro.

Kasami thotë se do e thyejë këtë traditë në Tetovë, gjatë qeverisjes së Teuta Arifit, dhe garanton se do i mbledhë deri në fund paratë dhe do i kërkoj ato nga qytetarët, me forma të tjera ligjore.

“Në vetëm 4 vitet e fundit ka mos pagim të mbi 3.5 milion euro tatim mbi pronë. Ne po marrim të gjitha masat e nevojshme në bazë të ligjit që të gjitha ato obligime të pashlyera nga qytetarët të realizohen. Ka edhe sistem online për pagesën e tatimit. Për momentin kemi një aparat që është në hyrje të komunës. Shohim mundësinë që edhe në pika tjetër të mundësojmë pagesën përmes aparateve të ndryshme apo edhe online. Kemi fituar një projekt për digjitalizimin e Komunës së Tetovës. Dhe përmes kësaj është edhe digjitalizimi i pagesave të taksave të ndryshme që janë në kuadër të pushtetit lokal”, tha Bilall Kasami- kryetar i Komunës së Tetovës.

Nga ana tjetër, nga një studim i Qendrës për Komunikime Civile lidhur me pagesën e tatimit mbi pronën, rezulton se në Komunën e Tetovës, më të disiplinuar janë personat juridik se sa ata fizikë. Bizneset, dyqanet dhe subjekte të tjera qe e kanë paguar këtë tatim janë në masën e 80%, kurse ajo e qytetarëve diku te 50%. Nga kjo qendër, me hulumtimet e tyre, konfirmuan lajmet e Alsat, se Haracina është komunë me 0 denarë, por përveç saj, në tre vitet e fundit të studimit, rezulton se edhe Mavrovë Rostushë është me 0 denarë, ndërsa Centar Zhupa nuk e tejkalon as 20 %. Më së shumti, paguajnë Makedonska Kamenica, Dibra, Aerodromi etj. German Filkov, nga kjo qendër nuk është dakord me ndihmën që qeveria u jep herë pas here komunave për të shlyer borxhet e tyre, madje, ai thekson se të paktën, ofrimi i ndihmës duhet të bazohet në aftësinë që komunat tregojnë në mbledhjen e tatimeve dhe menaxhimin e duhur të parave.

“Qasja e komunave, e qytetarëve dhe e firmave kundrejt këtyre tatimeve flet për suksesin e komunave në menaxhimin e parave publike. Unë gjithashtu mendoj se nëse një komunë tregon se nuk mund t’i mbledhë paratë e tatimeve, mendoj se as nuk duhet të guxojë të kërkojë para nga Qeveria, sepse ka dëshmuar se nuk di që të menaxhojë me paratë dhe të gjitha paratë që do i jepeshin rrezikon të mos menaxhohen si duhet. Qeveria nuk mund të ndërhyje tek komunat, por mund t’i kushtëzojë të njëjtat, për t’u dhënë para për mbulim të borxheve nëse ato kanë përqindje të lartë të mbledhjes së tatimeve”, tha German Filkov- Qendra për Komunikime Civile.

Ai thotë se ashtu siç komunat duhet të kërkojnë nga qytetarët që të bëjnë pagesën e tatimeve, duhet edhe të jenë maksimalisht transparente si institucione për shpenzimin e këtyre parave./ Alsat.mk