Kandidatja për kryetare të komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi sonte në tubimin përmbyllës në sheshin e qytetit ka mbajtur fjalim rasti duke theksuar se BDI dhe ajo do të shënojnë fitore të dielën në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale duke u sjellë kështu tetovarëve një jetë më të mirë.

“Me mbështetjen tuaj, jam kryetare e këtij qyteti që ka pasur gjithnjë nevojën e kujdesit dhe udhëheqjes së drejtë. Për gjithë këto vite me ndihmën tuaj, kam punuar për një bulevard më shumë, për një shkollë më shumë, për një ujësjellës më shumë, për një projekt më shumë, e vetëdijshme se është ky qytet që meriton më të mirën që mund të bëjmë për të, meriton shpirtin, zemrën dhe përkushtimin tonë për të. Kam qenë me Tetovën dhe tetovarët, në secilën ditë, në çdo sukses, por edhe në ditët tona më të vështira, si që janë dy vitet e fundit që po kalojmë së bashku. Por sot, të arriturat tona janë në rrezik. Tetova jonë e madhe është në rrezik. Është në rrezik nga ambiciet e mëdha të njerëzve të vegjël, është në rrezik sepse dikush dëshiron të bëhet viktimë e madhe e pazareve të vogla politike”, ka theksuar Arifi.