Presidenti kosovar Hashim Thaçi do te takohet sot me liderët e subjekteve politike shqiptare nga Lugina e Preshevës, gjegjësisht nga Presheva, Medvegja dhe Bujanovci.

Lajmin e bëri të ditur kabineti i Thaçit, i cili informon se pas takimit do të vijojë konferencë për media.

Presidenti kosovar javët e fundit intensivisht po e promovon idenë për “korrigjim të kufijve” me Serbinë, gjegjësisht për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, gjë të cilën ashpër e kundërshtojnë partitë opozitare dhe një pjesë e partive në pushtet të shqiptarëve të Kosovës, si dhe pjesa më e madhe e faktorit ndërkombëtar.