Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, sot në Ambasadën e SHBA në Shkup zhvilloi takim me Ndihmës-Sekretaren në Departamentin e Shtetit për çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, Viktoria Nuland. Në takim është biseduar për krizën politike në vend, si dhe për zhvillimet në dialogun midis partive politike që lehtësohet nga SHBA dhe BE.

Pas takimit në prononcim për media Kryetari Thaçi deklaroi:

“Përsëris edhe një herë se jemi fatlum që SHBA si aleati kryesorë i shqiptarëve dhe i Maqedonisë, ka një interesim të jashtëzakonshëm që të na ndihmojë të largohemi prej kësaj pike së krizës. Është një moment i volitshëm ku të gjithë së bashku duhet të punojmë të debllokojmë këtë situatë e cila tepër po zgjat dhe do të shohim që brenda ditëve sigurisht që kjo situatë duhet të debllokohet”.

Në pyetjen gazetareske se a mendoni që mund të ketë lëvizje konkrete pas kësaj vizite të Nulandit, Kryetari Thaçi u përgjigj:

 “Po përsëris është momenti shumë i rëndësishëm që ta shfrytëzojmë gjithë këtë çështje dhe të bëhet debllokomi i krizës politike, përndryshe shpresat do të humbin në tërësi nëse tash nuk ndodh kjo”

Në pyetjen gazetareske se a kishte ndonjë porosi konkrete në takim, Kryetari Thaçi u përgjigj:

“Porosia kryesore dhe konkrete është që të gjithë të punojmë që ta ndërpresim krizën politike dhe të merremi vesh të shkojmë në zgjedhje”.